
U arrestua në Spanjë, ekstradohet sot drejt Shqipërisë Lulzim Berisha
Ditën e sotme pritet të ekstradohet nga Spanja drejt Shqipërisë kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
Berisha është në proces gjykimi në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e Klodian Saliaj në shkurt të 2005.
Pavaërisht se Berisha kërkoi të mos ekstradohej në Shqipëri pasi pretendon se i rrezikohet jeta për shkak të së shkuarës kriminale, Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi më 14 gusht 2024 që kreu i bandës së Durrësit të ekstradohej në vendin tonë.
Pse u arrestua?
Lulzim Berisha ka për të bërë edhe 5 vite burg në Shqipëri pas dënimit të tij nga gjykatat shqiptare krahas gjykimit për vrasjen e Klodian Saliut. Ai u lirua me kusht në vitin 2026 pas një rrugëtimi të gjatë nëpër korridoret e burgut, prokurorisë dhe gjykatave.
Ai nisi procesi e apelimit të vendimit duke ezauruar më 22 maj 2022 të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. Gjykata Kushtetuese, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 7 dhjetor 2021, e cila kishte vendosur për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Dhe jo të gëzonte lirinë me kushte.
Kushtetueja rrëzoi kërkesën e Lulzim Berishës, për të hedhur poshtë vendim e Gjykatës së Lartë. Me këtë vendim, praktikisht Lulzim Berisha i shteroi të gjitha rrugët ligjore në Shqipëri, për t’i shpëtuar rikthimit për vuajtur edhe 5 vite burg.
Fill pas kësaj ai u zhduk ndërkohë që duhej të bënte edhe pesë vite burg. Arratia disa vjeçare e Lul Berishës, njërit prej personazheve më të njohur të botës së krimit mori fund në dhjetor të vitit 2023, kur u arrestua nga autoritetet spanjolle.
Ish-kreu i bandës famëkeqe të Durrësit ishte në kërkim për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005.
Burgimi
Lulzim Berisha u arrestua në 6 prill 2006. Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli.
Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Vendimi është marrë nga Shkëlzen Selimi, Andi Çeliku dhe Artan Zeneli. Admir Thanza dhe Ardian Dvorani kanë votuar kundra heqjes së dënimit me burgim të përjetshëm. Në vijim, gjyqtarët Tritan Hamitaj, Shpëtime Pitaku, Fejzo Hysi dhe Eda Kaja, në periudha të ndryshime i kishin ulur dënimin Lulzim Berishës.
Vendimi i lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku i asaj kohe Vangjush Dako.
Kush është Luizim Berisha
Lulzim Berisha njihet si kreu “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda që ka operuar gjatë fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000.
Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.
Seriali i vrasjeve doli në pah kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.
Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.
29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri
22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.
9 korrik 2000
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit
14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit
2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre
26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.
13 tetor 2005
Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”./vizionplus.tv