
NGA ENVER ROBELLI
Në një vend me dy diktatorë brenda 30 viteve, ndryshimet nuk ndodhin aq shpejt. Por ndryshimet në Serbi kanë filluar dhe nuk do të ndalen. Sa më i shkurtër afati i largimit të Aleksandar Vuçiqit, aq më mirë për Serbinë. Dhe për rajonin. Sepse duhet të shkojnë edhe autokratë të tjerë.
E tash? – pyesin shumë veta (edhe nga viset shqiptare) pas demonstratës së madhe (dhe madhështore) të studentëve dhe qytetarëve të tjerë serbë në Beograd.
E tash?
“Këta nuk mund ta rrëzojnë Aleksandar Vuçiqin”, thotë njëri.
“Edhe këta janë nacionalistë”, thotë tjetri.
“Edhe nëse e heqin qafe, asgjë nuk do të ndryshojë në Serbi”, mendon dikush.
Krejt këto konstatime, në thelb mund të përmbajnë një të vërtetë. Apo copëza të vërtetës.
E tash?
Komentin e saj mbi demonstratën e së shtunës gazetarja e revistës VREME, Jovana Gligorijeviq, e fillon me këto dy fjali, të cilat e shpjegojnë shumë mirë gjendjen në Serbi: “Ne i kemi lejuar vetes dy diktatorë brenda 30 viteve. Ky është problemi kryesor. Për këtë nuk ka një zgjidhje të shpejtë”.
Kjo është përgjigjja në pyetjen – e tash? Nuk ka zgjidhje të shpejtë!
Do shtuar se brenda 100 viteve në Serbi janë vrarë një mbret (Aleksandar Obrenoviqi më 1903), një ish-president (Ivan Stamboliqi më 2000) dhe një kryeministër (Zoran Gjingjiq më 2003).
Aleksandar Vuçiqi, kundërshtari i studentëve, është i pamëshirshëm. Edhe ndaj bashkëkombësve të vet. Të gjitha indikacionet flasin se të shtunën regjimi përdori një top akustik kundër gjimnazistëve, studentëve, grave, burrave, grave shtatzëna, pensionistëve të lodhur.
Topi akustik, prodhim amerikan, i siguruar në Izrael, sipas deklaratave të një ish-zyrtari të lartë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, mund t’u shkaktojë njerëzve dëme të pariparueshme shëndetësore.
Autokratët janë në gjendje të vrasin për pushtet.
Disa kanë vrarë për të ardhur në pushtet.
Disa kanë vrarë për të qëndruar në pushtet.
Një anketë e brendshme e qeverisë serbe, të cilën e ka parë gazeta britanike “Financial Times”, tregon se gati 60 për qind e të anketuarve i përkrahin studentët. E Vuçiqin? Parullave të tij i besojnë vetëm nja 30 për qind e serbëve. Ai është pakicë, por kjo s’e bën atë më pak të rrezikshëm.
Ai ka ushtruar gjatë për të ardhur në pushtet.
Në fund të viteve 90-të si pjesë e huliganëve të ekipit të futbollit “Cërvena Zvezda”.
Pastaj si reporter në një radio propagandistike me seli në Pale afër Sarajevës, aty ku ishte shtabi i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq, Nikolla Koleviq, Biljana Pllavshiq, Momçillo Krajishnik.
Pastaj si radikal i ri dhe asistent i Vojisllav Sheshelit, kryekuzhinierit të nacionalizimit serb me lugë të ndryshkura, me të cilat do t’u nxirreshin sytë jo vetëm kroatëve.
Pastaj si propagandist i Serbisë së Madhe përgjatë vijës Karlobag-Ogulin-Karllovc-Virovitica. (Një ironi e historisë: të gjitha këto qytete e qyteze sot janë në Bashkimin Europian si pjesë e Kroacisë, pjesë të pandashme të së cilës kanë qenë përherë).
Pastaj si kërcënues – në korrik 1995 – se për 1 serb të vrarë “do të vrasim 100 myslimanë”. Në atë muaj forcat serbe s’vranë 100, por gati 8000 burra e djem boshnjakë në Srebrenicë.
Pastaj si ministër i Informatave (lexo: dezinformatave) të qeverisë serbë në fund të viteve 1990-të.
Pastaj si mbrojtës i të akuzuarve për krime të luftës.
Pastaj si sponsor i bandës së Millan Radojçiqit.
A mund të ndryshojë dikush me një biografi të tillë politike siç e ka Aleksandar Vuçiqi?
Jo!
Por mund të luajë rolin e politikanit që ka ndryshuar.
Dhe këtë Aleksandar Vuçiqi e ka bërë në mënyrë shembullore duke aktruar mjeshtërisht.
Kur shkoi te Angela Merkel dhe i tha se po mësonte gjermanisht, se po lexonte Max Weberin dhe se i pëlqente etika protestante e punës. (Merkel, bijë e një prifti protestant gjerman, u entuziazmua).
Kur më 2016 mori pjesë në një panel me Bill Clintonin të organizuar nga Clinton Foundation dhe u mundua të belbëzojë kundër krimeve të luftës në Srebrenicë. Të pranishmit në sallë (dhe shumë përtej sallës) e hëngrën sapunin për djathë. Duartrokitën.
Këto ditë, i njëjti, Aleksandar Vuçiqi, ia “shpjegonte” të birit të Donald Trumpit se ç’krim paskësh bërë Bill Clintoni me bombardimin e Serbisë më 1999. Ndërsa Donaldi i Ri, ky njohës i madh i humnerave të përgjakshme të Ballkanit, “e dinte” dhe ia thoshte bashkëbiseduesit të tij serb se Amerika ka sulmuar Serbinë vetëm për shkak se Bill Clintoni e ka harruar shlicin e pantallonave hapur.
Të drejtat e njeriut?
Një milion të përndjekur?
Mbi 10 mijë civilë të vrarë?
Mijëra gra të dhunuara?
10 vjet aparteid në mes të Europës?
Kush merret me këto detaje!
Vuçiqi do të qëndrojë ende në pushtet.
Sepse, përveç aktor i shkathtë, është bërë edhe partner biznesi – për Moskën, për Washingtonin, për Berlinin, për Parisin.
Por fundi i tij ka filluar. Jo të shtunën e kaluar, por më 1 nëntor 2024, atë ditë kur u rrëzua një pjesë e pullazit të stacionit të trenit në Novi Sad dhe i mori me vete në varr 15 njerëz të pafajshëm. Atë ditë u rrëzua edhe fshati i Potemkinit i Vuçiqit.
Demonstrata e së shtunës është humbja e tij e radhës. Është – duhet përsëritur – fillimi i fundit të tij.
A largohet me dhunë apo pa dhunë – këtë nuk e di askush. Përveç ai dhe ekipi i tij.
Por shumica e serbëve të ardhmen e tyre nuk e shohin nën regjimin e tij.
E nisëm këtë tekst me një citat nga një koment i një gazetarje të Beogradit dhe po e përfundojmë me një citat të Filip Shvarmit, po ashtu komentator në revistën VREME. Ai shkruan: “Thjesht, struktura aktuale e pushtetit është shkatërruar. Serbia nuk ka qeveri, ndërsa Parlamenti dhe shumica dërrmuese e kuvendeve komunale janë bërë të pakuptimta. Arsimi është shpartalluar, universitetet janë në rebelim të hapur, ndërsa shërbimet publike – duke përfshirë policinë dhe ushtrinë – funksionojnë me inercion. Protesta në Beograd është një manifestim i qartë që kjo situatë është e paqëndrueshme, madje edhe afatshkurtër”.
Sa më i shkurtër afati i largimit të tij, aq më mirë për Serbinë. Dhe për rajonin. Sepse duhet të shkojnë edhe autokratë të tjerë./Koha Ditore