
Dita e Verës është një festë pagane që vjen nga thellësia e shekujve dhe ka ritualin e traditat e saj.
Jo vetëm sot, por gjatë gjithë këtyre ditëve në Elbasan janë zhvilluar një sërë aktivitetesh. Mbrëmë u zhvillua një koncert në qendër të qytetit që vijoi deri në orët e mesnatës duke kulmuar me shpërthimin e fishekzjarrëve.
Në sheshin “Gensher” në Elbasan do të ketë panaire të shumta si ai i zejeve dhe i ballokumeve. Por përpara këtyre, në bulevardin e qytetit zhvillohen karnavalet.
Siç raportoi gazetari Fatos Salliu, aktivitetet në Elbasan do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes, por nuk do të ndalen vetëm sot. Ato do të vijojnë deri më 16 Mars.
“Kjo festë është festë e gjithë shqiptarëve. Këtu sot gjen nga të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe trojet shqiptare jashtë vendit”, raportoi gazetari Salliu.
Çfarë është Dita e Verës
Sipas studiuesve kjo festë e ka origjinën në zonën e Çermenikës. Shumë shekuj më parë, që para se të lindte krishtërimi, njerëzit i faleshin perëndive më 14 Mars. Prandaj kjo festë konsiderohet pagane.
Pavarësisht kalimit të viteve, njerëzit në Elbasan i kanë ruajtur fort traditat duke e festuar edhe në ditët e sotme, madje edhe duke e pasuruar me elemente të modernes.
Është një festë që i bashkon njerëzit pa asnjë lloj dallimi. Dita e Verës në fakt festohet në të gjithë Shqipërinë, ku secila zonë ka veçoritë e veta. Megjithatë epiqendra e kësaj dite edhe nga studiuesit konsiderohet vetëm qyteti i Elbasanit.
Ata i ndajnë festimet për Ditën e Verës në katër faza. Në të parën bëhet ajo që quhet grumbullimi i zaireteve, pra ushqimeve të ndryshme, në mënyrë që vera që do vijë ta gjejë familjen me të gjithë të mirat.
Faza e dytë është Nata e Verës që festohet më 13 Mars. Familje e miqësi të ndryshme mblidhen së bashku për të kënduar e festuar së bashku këtë natë. Ndërkohë amvisat e shtëpive realizojnë gatime tradicionale. Më e famshmja mbetet ballokumja.
Faza e tretë vijon mëngjesin e 14 Marsit, ku realizohen aktivitete të ndryshme. Njerëzit dalin së bashku për të shijuar qëndrimin së bashku deri në mesditë. Nga ky moment fillon më pas faza e katërt e festës që është pjesa e piknikut. Familjet mblidhen bashkë dhe shijojnë pjesën e drekës së bashku, në natyrë./tvklan.al