Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kërkoi opozitës sot në Kuvend të miratojnë së bashku Paketën e Maleve.

“Më vjen keq që shoh që deputetë të opozitës, ata pak që kanë mbetur, nuk e kanë kuptuar ende që në Kuvend vjen për të bërë gjëra të mira. Paketa e Maleve është një prej shërbimeve më të rëndësishme. Sa i përket zonave malore që përmendi zonja Bardeli, ne garantojmë që gjithë bashkatdhetarët në diasporë që duan që pronën e babait, gjyshit ta vendosin në punë, të bëjnë një agroturizëm, zero për qind taksa. Madje, për 10 vitet e para, 500 sipërmarrësit e parë përfitues të kësaj pakete do të paguajnë 0% TVSH. Nuk ka një vend tjetër në rajon që të ketë një paketë të tillë që t’i japë çdo qytetari shqiptar që ka një pronë prej shumë vitesh, por s’ka një copë letër për atë pronë, me një copë letër të këshillit bashkiak dhe me 1 Euro, të bëhesh pronar i asaj prone,” deklaroi Balla.

Ai i tha opozitës se kur vjen puna me çështje që lidhen me prona, ata nuk duhet të flisnin, sepse nëse në vitin 2013 ishin bërë gjithsej 21,750 legalizime, ndërsa sot janë 270 mijë.

“Duhet ta votoni sot që të gjithë ata demokratë që kanë votuar për ju në 2021 dhe do ju votojnë tani, aq sa do ju votojnë, sepse duhet t’u thoni që për njerëzit që përfaqësoj unë, dal kundër urdhrave politike.”

Balla tha se sot numërojmë nga zero që ishte 1,000 projekte në fshat, 300 agroturizme të ndërtuara në total. Ndërsa synimi është që në mandatin tjetër të shkojmë në 1 mijë agroturizme.

“Lini urdhrat politike, lini thashethemet. Paketa e Maleve është ilaçi më i mirë i transformimit të kodrave, maleve të zonave tona që i përfaqësojmë dhe na kanë sjellë në Kuvend, në destinacione turistike, siç janë zonat bregdetare. Ta diversifikojmë portofolin,” ishte apeli i Ballës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu