
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha me anë të një deklarate urgjente ka reaguar kundër vendimit të qeverisë së Edi Ramës për mbylljen e platformës së lirë, Tik Tok.
Gjatë deklaratës për mediat, lideri i opozitës Sali Berisha, e akuzoi Edi Ramën se po e censuron këtë platformë në kulmin e fushatës elektorale, duke u shprehur se, kreu i qeverisë ka frikë nga fjala e lirë dhe ndikimi i saj tek të rinjtë.
‘Me këtë akt censure të mbi 1 milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë’, theksoi kryetari i PD-së, gjatë deklaratës për mediat.
Për të kundërshtuar këtë vendim, lideri i demokratëve Sali Berisha ka thirrur dhe një protestë kombëtare në Tiranë, ku u ka bërë thirrje gjimnazistëve, të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve që të mblidhen në protestë dhe të kundërshtojnë vendimin e mbylljes së Tik Tok, ndërsa deklaroi se vrasja e Martin Canit nuk kishte të bënte me këtë platformë.
‘Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Vdekja, vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTokun’, nënvizoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë deklaratës së tij për mediat.
Ai ka bëri publik dhe me dokumente, mashtrimin e Edi Ramës për pyetje përgjigjet me qytetarët, duke e akuzuar se, drejtuesi i qeverisë i shpik vetë pyetjet, vetëm e vetëm që të shmangë përballjen me qytetarët dhe gazetarët.
‘Ja ku i keni 1400 pyetje dhe komente, në të cilat nuk ekziston asnjë nga pyetjet që i është bërë Edi Ramës në monologun e tij, pyetjet e shpikura nga vetja e tij, pyetjet që i bën vetes për të shmangur gazetarët dhe për të bërë sikur i ka zëvendësuar ata me qytetarët’, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë deklaratës për mediat nga selia blu.