
Në komunikimin e radhës me ndjekësit në rubrikën e tij “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të marrë mandatin e katërt për të qeverisur vendin.
Rama: Ky është viti i mandatit të ri riqeverisës që do ta marrim në 11 maj, kështu që nuk kam se si e ngatërroj. Mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë kur ajo bën sukses dhe këtë muhabetin që vetëm ne kishim mbetur pa u zhvilluar, kështu që kjo do ndodhte siç ndodh kur bie shi apo kur bie borë mos e bëni kështu, se nuk është fare serioze është shumë qesharake kjo mënyrë të arsyetuari. Të tjerat janë llafe, llafe që i merr era dhe era 11 majit, yh sa llafe do marrë me vete. Ja erdhi! Do ta shohim sa llafe do të marrë me vete ai 11 maj, i bekuar do jetë.
Rama kishte edhe një përgjigje për ata që thonë se në Shqipëri prej vitesh nuk ka ndryshuar asgjë.
Rama: Nëse Tirana do vazhdonte të ishte ajo e 10 viteve më parë, që gërhiste dhe e rizgjuam nga gjumi, nëse Vlora, Korça, Berati, Gjirokastra, Himara, Lezha, e me radhë, e me radhë, do ishin ato 10 vite më parë, ku nuk bëje dot një fotografi, se s’kishe nga rrotulloheshe nga rrënimi?! Nëse Shqipëria do ishte akoma inferiore dhe e përçmuar ndërkombëtarisht, si deri 10 vjet më parë, që na shihnin gjithë nga lart poshtë edhe rrudhnin buzët kur dëgjonin Shqipëri e kur dëgjonin shqiptarë?! Ka shumë nëse, nëse, nëse po ka një fakt kokëfortë, suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, programi, puna këmbëngulëse e kësaj qeverie dhe askujt tjetër, si dhe aleanca jonë strategjike me sipërmarrësit e mëdhenj dhe të vegjël të Shqipërisë, që punon, punon, punon, e nuk merret me llafe.
Kryeministri tha ndër të tjera se Shqipëria renditet e para si destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024, në renditjen e UN Tourism, organizata më e madhe botërore e turizmit./vizionplus.tv