
Policia kriminale e Tiranës ka siguruar dokumenta konkrete se 24-vjeçarja Palestineze Rayyan Alwan është vrarë në Tiranë nga babai i saj, 49-vjeçari Fati Alwan.
Në hetimet paraprake u dyshua se viktima dhe autori i krimit kishin lidhje sentimentale me njëri-tjetrin dhe se krimi mund të kishte ndodhur për shkaqe xhelozie.
Por nga verifikimet e kryera në ditët e fundit, policia e Tiranës është bindur përmes dokumentave se vajza 24-vjeçare është ekzekutuar me thikë nga babai i saj.
Policia ka administruar çertifikatën e lindjes dhe disa informacione të tjera, të cilat janë siguruar përmes Ambasadës Palestineze dhe Gjermane në Tiranë, duke vërtetuar se ngjarja e disa ditëve më parë e ndodhur në rrugën “Gjon Muzaka” ka qënë një vrasje brenda familjes.
Të paqarta mbeten shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar babain Fati Alëan, të ekzekutojë me disa goditje thike vajzën e tij.
Ndërkohë burimet pranë prokurorisë së Tiranës thanë se së bashku me policinë e kryeqytetit janë duke bashkëpunuar ngushtë për arrestimin e 49-vjeçarit, ndalimi i të cilit pritet të ndodhë shumë shpejt.
49-vjeçari, së bashku me vajzën, është prezantuar si turist dhe të dy kanë thënë se janë partnerë. Për grupin e hetimit në Tiranë rezulton se të dy kishin hyrë me dokumente greke në territorin shqiptar përmes aeroportit të Rinasit.
Dhe po ashtu u zbulua që Fati u largua katër ditë pasi erdhi me vajzën në Rinas. 24-vjeçarja u gjet e pajetë pas një sinjalizimi në polici nga pronarja e banesës që vërejti se nuk kishte asnjë lëvizje në objektin qe kishte dhënë me qira./panorama