Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, priti Ambasadorin e ri të Republikës së Italisë në Tiranë, Marco Alberti.

Me përfaqësuesin e ri diplomatik të shtetit fqinj, ku jetojnë e punojnë qindra mijëra shqiptarë të emigruar, u diskutua për marrëveshjen e njohjes së dyfishtë të pensioneve mes dy vendeve, e cila po shkon drejt finalizimit me votën e pritshme në Dhomën e Deputetëve të parlamentit italian.

“Mirëprita Ambasadorin e ri të Republikës së Italisë në Tiranë, Marco Alberti. Italia mbetet një avokate e shkëlqyer e rrugës sonë europiane. Diskutuam mbi ratifikimin përfundimtar në Parlamentin italian të marrëveshjes për pensionet në ditët e ardhshme, e cila u shërben afro 500 mijë bashkëatdhetarëve tanë.” deklaroi Balla.

Marrëveshja do të sigurojë pagesën e çdo dite pune për emigrantët që kanë punuar në Itali dhe zgjedhin të rikthehen në Shqipëri, por edhe italianëve që e kanë kthyer në trend vitet e fundit të vijnë e të punojnë dhe jetojnë në vendin tonë.

Ministri dhe ambasadori shprehën angazhimin për të vijuar me projekte të reja bashkëpunimi dhe me zbatimin e Marrëveshjes për Pensionet menjëherë pas miratimit në Dhomën e Deputetëve të Italisë.

Tema të tjera bisedimi ishin anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të përbashkët për grupkapitujt dhe kriteret e negociatave.

Sa i takon turizmit dhe shtimit të italianëve që vijnë në vendin tonë, palët diskutuan mbi mundësinë e shkëmbimeve mes rajoneve të të dy vendeve dhe iniciativave të reja për promovimin e turizmit të qëndrueshëm.

Në lidhje me çështjet e migracionit u diskutua për mënyrat më efikase të menaxhimit në kuadrin e sfidave të përbashkëta.

Ambasadori Alberti riafirmoi mbështetjen e Italisë për Shqipërinë, duke theksuar se miqësia mes dy vendeve do të jetë një bazë e fortë për zhvillimin e projekteve të reja në të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu