Richard Grenell zyrtarisht ka marrë detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Urdhri ekzekutiv u nënshkrua nga presidenti Donald Trump të hënën në mbrëmje, sipas kohës lokale në SHBA.

Tek e nënshkroi vendimin, Trumpi lavdëroi Grenellin për rolin që pati në vendimin për shuarjen e zjarrit në Los Angeles.

“Është njeri i mirë”, ka thënë Trumpi kur e nënshkroi vendimin.

Në administratën e shkuar të Trumpit, Grenelli ishte emisar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e tij, më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell është emëruar emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, që mund të përfshijë edhe Kosovën.

E një ditë më parë, Grenelli i quajti mashtrim deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin. Madje ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu