Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso thotë se nuk ka një marrëveshje PS-PD për votën e diasporës, por ka një mbështetje në parim të propozimeve të KQZ.
Në emisionin “Open” në News24, Kaso tha se KQZ kishte shprehur disa shqetësime që kishin të bënin me afatet e pamjaftueshme dhe kostot financiare.
Po ashtu, Kaso deklaroi se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë duhet të votojnë më 11 maj.
Kushtetuta -tha Kaso – nuk ta kushtëzon të drejtën e votës, por kërkon të jesh vetëm shtetas shqiptar, nuk të kërkon të kesh një dokument identifikim të vlefshëm.
“Dokumentin e kërkon ligji që të të identifikojë ty dhe nuk je një person tjetër. Këtë siguri që ofrojnë dokumentet shqiptare biometrikë, e ofrojnë edhe shtetet e tjera”.
Ivi Kaso: Nuk ka një draft të dakordësuar, aq më tepër një marrëveshje PS PD. Ka disa shqetësime të ngritura nga KQZ, çështja e afateve të pamjaftueshme, koha ishte në limite për të siguruar që procesi do të kryhej në mënyrë të sigurt dhe fletët të ktheheshin në kohë. Ka pasur shqetësime për çështjen e kostos financiare, që më në fund u mbulua nga qeveria. Ka pasur edhe një ngërç në Komisionin Rregullator lidhur me përbërjen e grupeve të numërimit dhe si do të kthehej në rezultat. Ne kemi shprehur mbështetjen qoftë edhe publike. Nuk ka një draft të dakordësuar, por është një propozim i KQZ që ka marrë mbështetjen në parim. Kjo nuk na pengon ne që sikundër ja kemi bërë më doje KQZ dhe PS të ngremë shqetësimin e moslejimit për shkak të dokumenteve të identifikimit të një numër të madh zgjedhësish që rrezikojnë të mbeten pa votuar. Janë 600 mijë zgjedhës që janë pajisur njëherë me dokument biometrik dhe që u ka skaduar. Ndërkohë nuk ka një shifër zyrtare sa është numri i shqiptarëve brenda apo jashtë vendit që nuk kanë fare dokument biometrik. 160 mijë që keni nxjerrë si shifër është një vlerësim paraprak, por ne dyshojmë se janë më shumë. Këta për shkak të shumë arsyeve kanë dokumente të vjetra identifikimi, e kanë emrin në listat e zgjedhësve, por hyjnë dhe dalin në Shqipëri me dokumentet e shtetit ku jetojnë./PAnorama