Virozat e stinës dhe gripi kanë tejmbushur qendrat shëndetësore dhe Urgjencën në Spitalin e Elbasanit. Vetëm në shërbimin e Urgjencës paraqiten për të kërkuar ndihmë mjekësore mbi 200 persona në ditë.
Sipas mjekut Ergys Mici, shef i Urgjencës Elbasan qytetarët paraqiten në spital me temperaturë të lartë, rrufë, vështirësi në frymëmarrje ndërsa rastet e komplikuara bluzat e bardha i kanë hospitalizuar.
Mjeku Ergys Mici evidenton grupet e rriskut dhe këshillon qytetarët sesi ta mbrojnë veten nga situata e ngarkuar virusale që ka përfshirë vendin.
“Kemi ndryshimin e klimës dhe periudhë virozësh stinore, ku paraqitja në urgjenca është më e shtuar, më shumë se 200 raste brenda 24 orëve. Nga këto kemi raste me simptoma me temperaturë të lartë, rrufë, vështirësi në frymëmarrje, ndër këto kemi pasur edhe raste të cilët kanë nevojë për hospitalizim.
Megjithatë situata nuk është alarmante. Duhet treguar kujdes në ruajtjen , duhet të paraprijmë, të bëjmë vaksinat duke ulur mundësinë e prekjes. Edhe festat e fundvitit kanë ndikuar në përhapjen e virozëve stinore.
Grupi më i rrezikuar janë moshat e treta dhe të sëmurët kronikë, të cilët kanë nevojë edhe hospitalizim”, tha ai.
Situatë e ngarkuar paraqitet edhe në pavijonin e Pediatrisë./Oranews