Në ndalesën e radhës mes shqiptarëve në Itali, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u kërkoi emigrantëve në Faenza, Ravenna që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit, por edhe të votojnë Partinë Socialiste, për një sërë arsyesh.
“Qeveria ka marrë përsipër me KQZ-në që edhe pagesën e postës (për fletëvotimin) edhe për ardhur deri te shtëpia jote, edhe për ta kthyer nga shtëpia jote, do ta paguajë qeveria,” i informoi Balla emigrantët duke u shpjeguar disa hapa si bëhet aplikimi online në platformën PER të KQZ.
“Ky mandat i katërt e bën Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian dhe prandaj ky mandat i katërt është shumë i rëndësishëm, për të garantuar që progresin që kemi arritur deri tani ta bëjmë të pakthyeshëm dhe që anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ta vulosim!
Dhe një gjë ja them çdo bashkatdhetari jo vetëm këtu në Itali por në të gjithë botën, nëse duhet: anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk mund ta bëjë asnjë forcë tjetër përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë” deklaroi Balla në Faenza.
Ai u rikujtoi emigrantëve se si sot Shqipëria ka një tjetër imazh, tashmë pozitiv dhe se në Itali e jo vetëm, për vendin e tyre flitet vetëm për mirë.