U nënshkrua sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, – bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
Më herët, gjatë fjalës së tij në Samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të ripërtëritshme.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kkryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se tre shtetet janë bashkuar në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
“Shqipëria🇦🇱Emiratet Arabe🇦🇪Italia🇮🇹 bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme / Nënshkruhet marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri🇦🇱🤝🇦🇪🤝🇮🇹”, shkruan Rama.