Një tjetër ngarkesë me mandarina shqiptare është bllokuar në Kroaci.
Sistemi i alarmit për ushqimet në BE ka njoftuar për një tjetër sasi agrumesh që janë trajtuar me një pesticid të ndaluar për përdorim. Kjo është ngarkesa e katërt me mandarina shqiptare që Kroacia bllokon për të njëjtin problem. Autoriteti kombëtar i Ushqimit konfirmon se kjo ngarkesë është asgjësuar në Kroaci.
Ministria e Bujqësisë nga ana tjetër njofton se po vijojnë kontrollet në terren për të gjetur nga kanë hyrë pesticidet që nuk duhet të përdoren nga fermerët shqiptarë.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese, ku vetëm për këtë javë janë kontrolluar dhe verifikuar 46 subjekte tregtuese të PMB-ve, në të cilat nuk u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore. Vazhdojnë pa ndërprerje kontrollet në pikat e tregtimit, pikat e grumbullimit dhe magazinimit të fruta perimeve, ku përveç 18 mostrave të përcaktuara në planin e monitorimit të pesticideve për muajin Dhjetor, për produktin mandarinë, me qellim mbajtjen e situatës në kontroll, janë marrë edhe 7 mostra të tjera jashtë planit, për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV”, njoftoi Ministria e Bujqësisë.
Për grumbulluesit që kanë eksportuar mandarinat me përmbajtje pesticidesh të ndaluara, Ministria e Bujqësisë thotë se ka bërë kallëzim dhe i ka gjobitur.
“Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal”, thuhet në njoftim.
Fermerët shqiptarë kanë detyrim të mbajnë një regjistër, ku të shënojnë të dhëna për inputet bujqësore që përdorin te bimët, datën e spërkatjes apo emrin e farmacisë bujqësore. Por zbatimi në terren nuk bëhet në çdo rast. /vizionplus