Opozita po vijon mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit në Tiranë. Këtë herë, opozita po proteston duke bllokuar 6 akset kryesore rrugore që lidhin vendin. Protestuesit e opozitës kanë bllokuar mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit dhe Milotit. Afati i bllokimit do të jetë nga ora 17:00-20:00. Opozita proteston kundër arrestimit të liderëve të saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe kërkon nga mazhoranca të pranojë kërkesën e saj për qeveri teknike.
Ora 20.00 Hapen akset rrugore, rinis qarkullimi në Tiranë dhe rrethe
Mbikalimi i Kamzës dhe rrethrrotullimet në Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë, Levan dhe Milot janë tashmë të kalueshme për automjetet. Opozita i bllokopi rrugët për tre orë me radhë gjatë mosbindjes civile.
Ora 19:59 Përfundon protesta e opozitës, Flamur Noka: Qeveria teknike e vetmja zgjidhje, narko-qeveria në panik Protesta e opozitës është mbyllur pas rreth 3 orësh.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një prononcim për mediat tha se mosbindja civile do të vijojë dhe se e vetmja zgjidhje është qeveria teknike.
“Falënderoj të gjithë të rinjtë reja, qytetarët që iu përgjigjën ftesës së opozitës në këtë hap të madh të mosbindjes civile sot. Falënderoj edhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi që shmangën, bënë gjithçka që të shmangin përplasjen në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre duke qëndruar në shtëpi. Sot ka qenë ditë e zezë për bandat e pushtetit. Ata kanë sjellë narko qeverinë në çdo kryqëzim që të intimidojnë opozitën, por s’kanë treguar asnjë tjetër veçse janë në panik dhe mosbindje civile ka filluar të japë frytet e veta. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do tu njoftojmë për hapat e radhës, kthim pas nuk ka”, tha Noka.
Ora 19:55 Përfundon bllokimi i aksit në Shkozet, Edi Paloka: Mirupafshim në aksionin e radhës!
Në rrethrrotullimin e Shkozetit në Durrës ka përfunduar protesta e sotme e mosbindjes civile të PD-së dhe opozitës. Qarkullimi i mjeteve tashmë është i lirë pas 3 orësh bllokim. Në përfundim të mosbindjes civile, deputeti i PD-së Edi Paloka u shpreh telegrafikisht se do shiheni në protestën e radhës. ‘Mirupafshim në aksioni e radhës. Qëllimi që kishim ja arritëm, rruga u bllokua, ky ishte qëllimi’, tha Paloka.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi iu bashkua protestës së opozitës tek Kthesa e Kamzës, pikërisht në vendin ku u arrestua Ili Meta. Këtij të fundit ia kushtoi prononcimin për mediat, duke thënë se Meta u rrëmbye në mënyrë terroriste. Blushi sulmoi edhe prokurorët duke i quajtur mercenarë dhe vrasës me pagesë të opozitarizmit dhe demokracisë.
“U rrëmbye në mënyrë terroriste dhe të paligjshme nga këta banditë me dhe pa uniformë. Të mos provokojnë këtë protestë parësorë, sepse këta qytetarë do detyrohen nga këtu të shkojnë në Surrel, në shtëpinë e Edi Ramës, në shtëpinë e Erion Velisë, për t’iu dhënë ndëshkimin që meritojnë këta banditë.
Rrëmbejnë në mes të ditë ish-kryeministrin, ish-kryetarin, ish-presidentin. Kanë dalë këtu për të provokuar dhe rrëmbyer këta qytetarë paqësorë që janë më të vendosur se kurrë për tu ballafaquar dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim, qytetarët patriotë nuk tremben nga kjo strukturë kriminale, që sot duhej të ishte në Durrës, Elbasan e Shkodër për të arrestuar bandat e Edi Ramës. Ndodhemi në një vend krimi, të shpallur të tillë me katin terrorist të rrëmbimit të Metës, nga një grup banditësh, në përbërje të së cilës ka patur elementë të lidhur me bandat kriminale të Durrësit dhe Shkodrës.
Ta harrojë Edi Rama se me të tilla provokime ndaj protestuesve paqësor, që nuk kanë hedhur asnjë gur, nuk është gjë tjetër veçse një tregim force që regjimi që ndodhet në gramat e fundit po përpiqet t’u demonstrojë qytetarëve. Prokurorët mercenarë që sot janë kthyer në vrasës me pagesë të opozitarizimit dhe demokracisë”, tha Blushi.
Ora 19.42 Policia nuk ndërhyn as te Mbikalimi i Shkozetit, automjetet qarkulluan në rrugë alternative. Policia nuk pritet të ndërhyjë pa përfunduar orari zyrtar i mosbindjes civile, 20.00. Uniformat blu gjetën zgjidhje alternative për kalimin e automjeteve në të dy krahët përmes zonës së Shijakut dhe rrugëve të jashtme të autostradës për të shmangur kështu paralizimin e qarkullimit të automjeteve.
Ora 19.38 Milot, policia u afrohet protestuesve por nuk ndërhyn për të liruar rrugët
Mësohet se uniformat blu do të presin përfundimin e orarit zyrtar të opozitës, 20.00, për të bërë më pas edhe lirimin e aksit Milot-Lezhë dhe Milot-Tiranë.
Ora 19.35 Protesta në Levan e qetë, automjetet vijuan lëvizjen në rrugën e vjetër Fier-Vlorë
Qarkullimi i automjeteve po bëhet përmes rrugës së vjetër që lidh dy qytetet.
Ora 19.30 Mbështetësit e opozitës djegin gomat te ish-sheshi Shqiponja, i vënë flakën edhe kazanëve të mbeturinave.
Ora 19.20 Hapet për qarkullimin e automjeteve rrethrrotullimi i Bradasheshit
Opozita ka mbyllur protestën te rrethrrotullimi i Bradasheshit. Në këto momente ka rinisur qarkullimi i automjeteve i ndërprerë prej orës 17.00.
Ora 19.15. Përplasje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët fitojnë terren te ish-sheshi “Shqiponja”
Ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë te Sheshi Shqiponja në Tiranë. Ka pasur përplasje dhe shtyrje mes të dyja palëve. Policia është vënë përballë protestuesve, që të pengojnë marshimin e tyre. Në protestë është Flamur Noka, Albana Vokshi, Tedi Blushi etj. Duke qenë se policia ka fituar terren ndaj protestuesve, këta të fundit kanë shtyrë efektivët. Raportohet se përplasje ka edhe në Brandashesh.
Ora 19.04 Asllan Dogjani-policëve: Në orën 20.00 do largohemi vetë, mos ndërhyni me forcë
Deputeti i PD, Asllan Dogjani ka kërkuar nga forcat e rendit të mos ndërhyjnë për të liruar rrugën me forcë. Duke iu drejtuar policëve, Dogjani tha se protestuesit e opozitës do të largohen në orën 20.00 siç edhe kanë njoftuar.
Ora 18.51 Flamur Noka: Policia të mos ndërhyjë, ndryshe destinacioni ynë do të jetë Surreli
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i ka kërkuar policisë të ish-sheshi Shqiponja që të mos ndërhyjë për të liruar rrugën. Opozita vijon prej 2 orësh mosbindjen civile duke bllokuar 6 akse kryesore rrugore nga veriu në jug. Noka tha se në rast ndërhyrje nga Policia, protestuesit do të shkojnë drejt Surrelit, fshati ku banon kryeministri Edi Rama.
Ora 18.40 Lisandër Hoxha nga ish-Sheshi Shqiponja: Siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër…
I deleguari i PD në Degën 4 në Tiranë, Lisandër Hoxha nga Sheshi Shqiponja në mosbindjen civile tha se siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër, nëse nuk ka qeveri teknike. Hoxha kishte edhe një thirrje për ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, duke thënë se ai nuk duhet të sillet si ministri i fundit i diktaturës. “Siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër nëse nuk plotësohet kërkesa për qeveri teknike. Kam një thirrje për ministrin e Brendshëm. Mos të sillet si ministri i fundit i diktaturës. Nuk kemi dalë të bllokojmë qytetarët, por të bllokojmë qeverinë”, tha Lisandër Hoxha.
Ora 18.30 Policia nis të lëvizë te Mbikalimi i Kamzës, kërkohet lirimi i autostradës Tiranë-Durrës. Policia kërkon lirimin e rrugës dhe tek rrethrrotullimi i Bradasheshit
Rrethrrotullimi i Shkozetit është bllokuar nga protestuesit e opozitës prej orës 17.00. Teksa ka kaluar mbi 1 orë nga bllokimi i rrugës, policia ka kërkuar nga organizatorët e protestës të lirojnë rrugën. Protestuesit kanë refuzuar thirrjet e policisë dhe vijojë të mbajnë të bllokuar autostradën në drejtim të Tiranës por edhe Durrësit, Kavajës e Rrogozhinës.
Ora 18.03 Ivi Kaso: Edhe Rama bllokon rrugët për çdo aheng të tij
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Korçës në zgjedhjet e ardhshme, Ivi Kaso, në mosbindjen civile të Partisë Demokratike, iu përgjigj gazetarëve në lidhje me faktin që bllokimi i rrugëve është vepër penale. Kaso tha se policia duhet t’i kujtojë këtë gjë kryeministrit, që bllokon rrugët për çdo lloj ahengu që zhvillohet në vend.
Ora 18.00 Spaho nga Rrethrrotullimi i Bradasheshit: Zgjedhjet s’mund të jenë farsë elektorale, ja pse kërkojmë qeveri teknike
Deputeti i PD Edmond Spaho nga Rrethrrotullimi i Bradasheshit tha se demokracia në Shqipëri po eliminohet. Ai tha se zgjedhjet nuk mund të jenë farsë elektorale. Sipas tij, kjo është arsyeja se përse PD kërkon qeveri teknike.
Ora 17.55 Digjen gomat edhe në Milot
Ora 17.50 Luçiano Boçi: Në vijim do ndërmerren akte që do të zgjasin me ditë…
Protesta e sotme do të zgjasë 3 orë, por nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili ndodhet në Milot, një nga pikat ku po protestohet, tha se do të ketë akte të tjera në ditët në vijim, që mund të zgjasin edhe me ditë të tëra. “Kjo është mosbindje civile, e cila ka aktet e veta. Është një akt proteste në kuadër të mosbindjes civile. Kërkojmë qeveri teknike, për ti dhënë fund inkuizicionit politik të opozitës, për ti dhënë liri liderit të opozitës, për të sigururuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të ketë akte të tjera në vazhdimësi, që mund të jenë më të gjata se 3 orë, mund të jenë me ditë të tëra, për ti dhënë këtij vendi, shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Policia të zbatojë Kushtetutën, direktivat që vijnë nga Parlamenti Europian, dhe protesta e qytetarëve mund të bëhet në formën që ata zgjedhin. Ne kemi zbatuar ligjin duke njoftuar Policinë e Shtetit, e cila në anën tjetër duhet të respektojë ligjin”, tha Boçi.
Ora 17.43 Banderola për Salianjin: Denoncuesi në burg, mafia në pushtet
Ora 17.40 Mosbindja civile, Paloka: Bllokimi i rrugëve, ky ishte qëllimi sot…
Deputeti demokrat, Edi Paloka, i cili ndodhet në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, tha se protesta do të vijojë ashtu sikundër është njoftuar. Ai tha se qëllimi i protestës së sotme është bllokimi i akseve rrugore dhe nuk do të ketë veprime të tjera.
Ora 17.34 Sula nga Rrethrrotullimi i Rrogozhinës: Qeveria ka lënë në mjerim qytetarët, çmimet në nivele alarmante
Deputeti i PD, Dashnor Sula, që ndodhet në Rrethrrotullimin e Rrogozhinës, tha se kjo qeveri ka lënë qytetarët e pensionistët në mjerim. Sula tha se gjithashtu edhe vota e lirë është e domosdoshme për një demokraci funksionale.
Ora 17.30 Paralizohet qarkullimi te rrethrrotullimi i Levanit
Mosbindja civile e opozitës në Levan vijon pa incidente, prej orës 17.00 kur u bllokua qarkullimi i automjeteve. Aksi është bllokuar në të dyja anët.
Ora 17.29 Rrethrrotullimi i Shkozetit, protestuesit i vënë flakën gomave
Në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, mbështetës të opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave.
Ora 19.25 Hipur mbi kalë, mbështetësi i opozitës në mosbindje civile. Një qytetar, i veshur me kostum popullor dhe hipur mbi kalë i është bashkuar protestës në Milot.
Ora 17.20 Noka nga Sheshi Shqiponja: Jemi në mosbindje civile, vijojmë me akte të tjera
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur nga ish-sheshi Shqiponja për mosbindjen civile që po zhvillon opozita. Noka tha se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj. Sipas Nokës, PD është në mosbindje civile, duke shtuar se do të vazhdohet me akte të tjera.
Ora 17.18 Bllokohet lëvizja e automjeteve te rrethrrotullimi i Rrogozhinës
Në këtë aks rrugor bëhet lëvizja e automjeteve në drejtim të jugut, Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit. Prej orës 17.00 protestuesit e opozitës kanë bllokuar rrugën duke paralizuar qarkullimin.
Ora 17.16 Flamur Noka “parkon” automjetin në mes të rrugës
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka mbërriti te ish-sheshi Shqiponja, aty ku protestuesit e opozitës bllokuan rrugën. Noka fiku automjetin e tij në mes të rrugës duke iu bashkuar mosbindjes civile.
Ora 17.15 Paralizohet qarkullimi te rrethrrotullimi i Bradasheshit
Rrethrrotullimi i Bradasheshit është bllokuar nga protestuesit e opozitës. Sikurse nuk ka lëvizje as në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës apo Belshit.
Ora 17.12 Protestuesit ulen këmbëkryq në rrugë, bllokohet aksi Thumanë-Milot
Është bllokuar edhe rrethrrotullimi i Milotit në të dy korsitë e rrugës. Në këtë rrethrrotullim janë caktuar deputetët; Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.
Ora 17.10 Protestuesit i hapin rrugën 2 autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës
Edhe pse rruga ishte bllokuar, protestuesit e opozitës kanë lejuar qarkullimin e dy autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës.
Ora 17.05 Policia devijon trafikun te Mbikalimi i Kamzës
Pas bllokimit të aksit kryesor Tiranë-Durrës nga protestuesit e opozitës, policia ka devijuar qarkullimin e makinave. Drejtuesve të automjeteve iu është kërkuar nga policia të ndjekin itinerarin Tiranë-Kashar nga rruga e vjetër, paralelisht me autostradën Tiranë-Durrës, për të shmangur protestuesit dhe bllokimin aty për tre orë me radhë.
Ora 16.40 Ndarja e deputetëve te rrugët që do bllokohen
Te Sheshi Shqiponja, do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.
Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.
Tek rrethrrotullimi Shkozet, do të jenë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të jenë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.
Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;
Në rrethrrotullimin Levan, degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj.
Deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te ish-sheshi “Shqiponja” në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.