Viti 2024 ka nisur me ulje pagash si në sektorin shtetëro ashtu dhe atë privat në krahasim me fundin e 2023.
Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2024, është 73.641 lekë nga 75 mijë lekë në fund të vitit të kaluar, me një rënie prej gati 2%.
Ulja e pagave në tremujorin e parë të vitit përgjithësisht është e lidhur me faktin se në tremujorin e fundit shumë kompani japin shpërblime për punonjësit, duke bërë që paga e tyre të rezultojë më e lartë në tremujorin e fundit të vitit.
INSTAT sqaron se shpërblimet dhe shtesat mbi pagë janë një pjesë e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto.
Pagat në shtet u ulën me 3.2% në tremujorin e parë në krahasim me fundin e vitit dhe ato në privat me rreth 1%.
Megjithatë, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, paga në ekonomi u rrit me 13,8 %.
Ndryshimi vjetor, pagat në shtet rriten shumë më shpejt se në privat
Paga mesatare në shtet në tremujorin e parë arriti në 85 mijë lekë, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e pagave u udhëhoq nga reforma e qeverisë për barazimin e pagave me rajonin. Një tjetër arsye ishte “nxitja” e privatit për të paguar më shumë punonjësit.
Por, privat e ka ndjekur shtetin me ritme më të ngadalta. Paga mesatare mujore në privat në tremujorin e parë ishte 68.7 mijë lekë, me rritje 10% me bazë vjetore.
Bankat dhe komunikacioni paguajnë më shumë
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2024 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 15,3 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Informacioni dhe komunikacioni prej 6,9 %.
Gjatë tremujorit të parë 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar. Monitor