Endrit Krasniqi është fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Ai mori trofeun “Diamanti blu” me këngën “Flas me gjethen”.
Juria ndau çmimin e dytë për Greta Azizin, me këngën “Verës”, derisa çmimi i tretë i shkoi Dea Stricës me këngën “N’Shqipni”.
Çmimi i Pallatit të Rinisë dhe i kryeqytetit shkoi për Besmir Shishko me këngën “Unë ajo”, të cilat i mori nga nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj dhe udhëheqësja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi.
Çmimin e orkestrës e ndau drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku për Arnitë Kastrati me këngën “Blla blla”. Ai kërkoi duatrokritje për Orkestrën e Festivalit, të cilët kanë shoqëruar këngët me instrumentet muzikore.
Juria sivjet ishte në përbërje nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, Valbona Selimllari, Miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore.
Në natën finale kanë performuar 9 artistë: Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Greta Azizi me “Veres”, Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi” dhe Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”.
Këngëtari shumë i dashur për publikun shqiptar, Alban Skënderaj, ka “pushtuar” skenën e Festivalit të Këngës në RTK me një performancë të jashtëzakonshme, duke sjellë emocion dhe gëzim të veçantë për të pranishmit dhe teleshikuesit.
Me këngën e tij “Për ty”, Skënderaj preku zemrat e të gjithëve, ndërsa publiku në sallë iu bashkua duke kënduar bashkë me të, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme në “Fest 2”.
Para performancës, ai ndau me publikun ndjenjat e tij, duke theksuar lidhjen e tij të veçantë me Kosovën.
“Takimi i parë me Prishtinën dhe Tiranën ishte në kohë paralele sepse në atë kohë nuk jetoja në Shqipëri. Prishtina më ka mësuar dhe rritur shumë. Kosova është shtëpia ime e dytë”, tha Skënderaj me mirënjohje, duke ndjerë krenari që performoi para publikut kosovar.
Pas përfundimit të këngëve garuese, këngëtari shqiptar i njohur në Amerikë, Albert Stanaj ka elektrizuar skenën e Festivalit të Këngës në RTK.
Ai përmes paraqitjes së tij solli premierën e veprës së tij, “Glory”. Stanaj u përcoll me duartrokitje e ovacione nga publiku. Ai paraprakisht rrëfeu se si fëmijë kishte kënduar këngë folklorike dhe me këtë rast me zërin e tij magjik interpretoi një pjesë të shkurt të këngës së Fatime Sokolit “Me krah t’shqipes nga Tropoja ty Kosovë këtë kangë ta knova”.
Pas tij, skena i takoi sopranos së njohur, Besa Llugiqi, e cila solli atmosferë të muzikës klasike në sallë.
Llugiqi nën shoqërimin e orkestrës dhe Filharmonisë së Kosovës interpretoi arie nga Maria Callas.
E me një recital emocionues me poezi të Gjergj Fishtës në skenë u paraqit aktori Bujar Ahmeti.
Pas tij skenën e elektrizoi violonisti me famë botërore, Olen Çezari./RTK