Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, më datë 21 tetor 2024, çelën ekspozitën “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”, me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të rëndësishme në fushën e historisë, gjuhësisë, letërsisë, arteve, shkencës e politikës, si dhe përfaqësive diplomatike në Republikën e Shqipërisë.
Kjo ekspozitë, e cila u çel nga z. Piro Misha – drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dhe nga z. Alessandro Ruggera – drejtor i Institutit Italian të Kulturës, u përshëndet edhe nga znj. Lira Pipa – zv/ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Andi Seferi – n/kryetar i Bashkisë Tiranë. Ekspozita u nderua, gjithashtu, me praninë e kuratores shkencore znj. Elisabetta Sciarra – drejtore e Bibliotekës Kombëtare Qendrore e Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë.
Në këtë ekspozitë, e cila është një ndër më të mëdhatë e, njëkohësisht, më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, ekspozohen rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800. Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik.
Ekspozita ndahet në disa seksione:
– Seksioni i parë, i kushtohet historisë së Venecias, si një prej qendrave më të rëndësishme të Rilindjes Europiane, e cila në periudhën mes viteve 1400 dhe fundit të viteve 1700, ishte qendra e shtypshkrimit në Europë. Në këtë seksion prezantohen mjaft prej këtyre veprave, të botuara prej tipografëve dhe botuesve më të famshëm, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali, Girolamo Albrizzi etj.
– Seksioni i dytë, i kushtohet Shqipërisë dhe Greqisë, vende këto ku Venediku pati një ndikim të madh për disa shekuj me radhë. Në këtë seksion prezantohen disa prej dëshmive të para të shqipes së shkruar, si ato të Buzukut e të Bogdanit. Venecia ishte po ashtu vendi ku u botuan një numër i madh veprash kushtuar Skënderbeut, apo historisë së Shqipërisë, duke nisur që nga ato të Barletit, Marin Biçikemit, Dhimitër Frangut etj. Seksioni përmban edhe një numër hartash origjinale të Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare.
– Një seksion i veçantë i kushtohet librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane.
– Një seksion i veçantë i kushtohet venecianëve si udhëtarë e gjeografë.
– Dy seksionet e fundit i janë kushtuar botimeve që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë.
– Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më të reja kushtuar raporteve historike të Shqiptarëve me Venecian.
Hapur për vizitorët:
yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu