Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet ne rregullore “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm”.
Drejtoresha Mimoza Kaçi sqaroi se ndryshimet kanë për qëllim rritjen e transparencës së përllogaritjes së primit për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve.
Pjesë e llogaritjes së çmimit do të jenë edhe 7 faktorë risku, si historiku i dëmeve, fuqia motorike e mjetit, mosha e të siguruarit dhe vjetërsia e mjetit.
Pra duke nisur që nga janari i vitit të ardhshëm, drejtuesit e mjeteve të cilët kanë pasur probleme dhe kanë shkaktuar dëme gjatë këtij viti, do t’i llogariten në siguracionin e detyrueshëm të mjetit.
“Hyn në fuqi e rregullores është më 1 janar 2025, deri në fund të këtij viti ne do të bëjmë gati procesin. Kjo rregullore sjellë më shumë transparencë lidhur me llogaritjen e primit të sigurimit dhe cilët janë faktorët. Kjo periudhë do të shërbejë edhe për ndërgjegjësimin e qytetarët, për të mirat që ata kanë me këtë sistem të rëndësishëm të sigurimit të mjeteve. Çdo dëm i shkaktuar gjatë këtij viti do të ndikojë në çmimin e ardhshëm të policës në vijim. Përllogaritja e primit nga kompanitë e sigurimit do të jetë publike, ku çdo i siguruar mund të kalkulojë dhe të kuptojë edhe llogaritjen e primit të sigurimit për mjetin e tij. Pjesë e primit të sigurimit do të jenë edhe llogaritja e 7 faktorëve të rreziku, për të cilat kemi të dhëna të disponueshme. 1-Historiku i dëmeve, shumë i rëndësishëm. Është punuar për databazën e dëmeve në autoritet, ky regjistër furnizohet nga shoqëritë e sigurimeve dhe mbahet nga autoriteti. Po punohet që edhe vetë shoqëritë të kenë akses në këtë informacion për dëmet e një drejtuesi. 2-Fuqia motorike, sa më i lartë kubikazhi i mjeteve aq më i madh dëmi që shkakton, dhe aq më i lartë primi i sigurimit. 3- Mosha e të siguruarit, 18-21 vjeç është mosha më e penalizuar në policën e sigurimit të automjetit. 4-Eksperienca në drejtimin e mjetit, ku kanë vende që përfshijnë edhe pikët e patentës 5-Përdorimi i mjetit, nëse është subjekt apo kompani pasi kur është mjet biznesi përdoret nga disa drejtues. 6-Qarku i regjistrimit të mjetit, që ka të bëjë me incidenteve të aksidenteve sipas qarqeve. 7- Vjetërsia e mjetit”, është shprehur Kaçi.