Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, teksa ka folur për çështjen e shujtave për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se ka sulme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas tij, e gjithë kjo çështje është propagandë.
Në konferencën e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje të hënën, Bajqinovci e ka akuzuar kompaninë “Beni Dona” se dëshiron të ketë monopol.
“Sulmet e udhëhequra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes janë propagandë e shpifur, e vërteta është kjo Ministria e Mbrojtjes nuk i ka dhënë kontratën kompanisë ‘Beni Dona’, kompani që për 15 vjet ka pasur monopol. Ministria e Mbrojtjes nuk ka shpallur tender sekret por ka shpallur kontratë emergjente. Në vitin 2023 në ministria shpall tenderin për kontratë të rregullt. Kompania në fjalë ka bërë ankesë në OSHP duke dashur të ketë monopol. Për këto kontrata emergjente asnjë opozitar nuk ka folur. Furnizimi me produkte është siguruar nga AQP-ja dhe nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ngecje. Ky proces pritet të përfundojë brenda 60 ditëve kalendarikë që nga shpallja e konkursit. Nuk do të ketë më kthim mbrapa me tender”, ka thënë ai.
Edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Enver Dugolli, ka thënë se po tentohet të keqinformohet qytetari në lidhje me këtë çështje.
“Në fillim të tetorit e përkrahim kërkesën e opozitës për të raportuar ministri Maqedonci për këtë teme. Më shumë se 3 orë diskutuam për këtë çështje. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është rezultat i dezinformatave që tash e sa ditë po synon ta keqinformojë qytetarin”, ka thënë ai.
Ndëra, për kërkesën në lidhje me shkarkimin e shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ai ka thënë se është absurde.
“Opozita ka hyrë në një fazë të re, duke mos mbajtur fjalën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Tentimi për të diktuar grupin tonë për të shkarkuar Mimoza Kusari-Lilën është absurd. Ne nuk e pranojmë. Si rrjedhojë ne nuk marrim pjesë në asnjë seancë iniciativë të tyre”, ka thënë ai./Koha ditore