Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK në Marrëveshjen e Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
Në konferencën për media, ministrja ka thënë se Kosova do të përfaqësohet si vendet tjera anëtare “pas një pune intensive të Qeverisë së Kosovës”.
“Ju njoftojmë se në takimin që kemi pasur me CEFTA-n, me Serbinë si udhëheqëse e këtij viti, ku në këtë takim është marrë vendim që përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar dhe kjo ka ardhur pas një pune intensive të Qeverisë së Kosovës. Kosova do të përfaqësohet vetë dhe pa pjesëmarrjen e UNMIK. Qeveria përmes MINT me datë 24 shtator kishte adresuar letrën në sekretariat ku kërkonim largimin e UNMIK-ut, në mënyrë që Kosova të përfaqësohej si vendet tjera anëtare”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka shtuar se 13 vendimet e miratuara sot kanë qenë në diskutim për 3 vjet në nivel teknik, por që nuk janë votuar deri pas rregullimit të përfaqësimit të Kosovës.
Kurse këshilltari i Kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se megjithëse nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK në Marrëveshjen e Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ajo edhe më tutje do të përfaqësohet me asterisk (*).
Ai ka thënë se përfaqësimi i tillë s’ka qenë i mundur, ani pse është kërkuar që nga viti 2021, për shkak të refuzimeve të Serbisë për ta trajtuar Kosovën si të barabartë.
“Po përfaqësimi rajonal ende është me asterisk. Lista e vendimeve që kanë pritur në komitetin e përbashkët në CEFTA tregon për rëndësinë dhe tregon përse nuk kemi mundur deri tash të përfaqësohemi si vendet tjera anëtare, për shkak se nga viti 2021 kur është kërkuar kjo kërkesë, Serbia ka refuzuar ta trajtojë Kosovës si e barabartë”.
Zulfaj ka folur edhe për vendimin për Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, e që për objektivë ka zbatimin e reformave drejt aderimit në BE dhe atyre për rritje ekonomike, të negociuara me BE-në./rtk