
“Këtë e ndiej, shoh ëndrra dhe kam folur edhe me persona që pretendojnë se kanë fuqi mbinatyrore. Askush nuk më ka thënë ndonjëherë se ajo nuk jeton më.” Kështu është shprehur Romina Power në emisionin “Belve”, që rikthehet në Rai 2 më 28 prill.
Këngëtarja dhe aktorja foli për vajzën e saj Ylenia, e zhdukur 32 vjet më parë duke theksuar se vazhdon të besojë se ajo është gjallë diku. Sipas saj, përveç ndjenjës së fortë personale dhe ëndrrave që sheh shpesh, ajo ka kërkuar edhe përgjigje përmes njerëzve që pretendojnë aftësi mbinatyrore.

Ylenia Maria Sole Carrisi lindi më 29 nëntor 1970 në Romë dhe ishte vajza e madhe e këngëtarëve të njohur Al Bano Carrisi dhe Romina Power. Ajo u bë e njohur për publikun jo vetëm për origjinën e saj artistike, por edhe për rrethanat misterioze të zhdukjes së saj.
Në janar të vitit 1994, gjatë një udhëtimi në New Orleans, në Shtetet e Bashkuara, Ylenia u zhduk pa lënë gjurmë. Rasti i saj mbetet një nga zhdukjet më të përfolura dhe të pashpjeguara, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare për vite me radhë.
Pavarësisht kërkimeve dhe hetimeve, asnjëherë nuk u gjet një përgjigje për fatin e saj. Në dhjetor të vitit 2014, me kërkesë të babait të saj, ajo u shpall zyrtarisht e vdekur në mungesë, duke mbyllur juridikisht çështjen, por jo misterin që e rrethon ende sot.
Gjatë intervistës me Francesca Fagnani, Power u pyet edhe për ndikimin që pati kjo ngjarje në marrëdhënien e saj me Al Bano.
“Kur mendon se ke një shtyllë pranë dhe papritur vjen momenti kur ke nevojë të mbështetesh, por nuk gjen asgjë, atëherë gjithçka ndryshon,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se dhimbja për humbjen e vajzës ndikoi në ndarjen e çiftit.






