
Jozefin Marku, i arrestuar për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi, është gjetur nga policia i fshehur në tualetin e një banese.
Detaji i arrestimit të 30-vjeçarit, i njohur edhe për këngën e tij “Yll perrie”, është bërë publik nga Policia, pas hetimeve për konfliktin e regjistruar pranë mbikalimit të Rinasit.
Sipas policisë, Marku u gjet i fshehur në tualetin e banesës së 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Ky i fundit u arrestua gjithashtu, ndërsa Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Hetimet janë zhvilluar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Lezhës, pas publikimit në rrjetet sociale të pamjeve të konfliktit.
Jozefin Marku akuzohet për “Heqjen e paligjshme të lirisë”, “Plagosjen e lehtë me dashje”, “Kanosjen”, “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës” dhe “Ndërhyrjen e padrejtë në jetën private”.
Kristjan Nikolli dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” të përdorur gjatë ngjarjes. Ai akuzohet gjithashtu për përkrahjen e autorit të krimit dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi municion, si dhe automjetin “Land Rover”.
Sipas hetimeve, Marku dhe personat e tjerë dyshohet se kanë dhunuar Eduart Kuçin me pretendimin se 26-vjeçari kishte fyer njërin prej tyre.
Policia vijon kërkimet për dy personat e tjerë, si dhe hetimet për identifikimin e kujtdo tjetër që mund të ketë marrë pjesë në ngjarje.






