Kryeministri Edi Rama ka përdorur rastin e Ratko Mlladiçit për të argumentuar idenë e tij se Serbia duhet të mbahet pranë Bashkimit Europian dhe jo të izolohet, pavarësisht përplasjeve të forta me Brukselin.

Duke folur për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE, Rama iu referua nderimeve që po i bëhen në Serbi Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, deklaroi Rama, duke e cilësuar Mlladiçin “kasapin e Ballkanit”.

Por kryeministri argumentoi se pikërisht raste të tilla tregojnë, sipas tij, përse Serbia duhet të jetë në tryezën europiane, ku mund t’i kërkohet të respektojë standardet dhe vlerat e Bashkimit Europian.

Rama përdori edhe një metaforë të fortë për të përshkruar pozicionin e Beogradit në rajon.

“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, alternativa ndaj izolimit është afrimi gradual i vendeve kandidate me strukturat e BE-së, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Në këtë mënyrë, argumentoi ai, Brukseli do të kishte më shumë mundësi të ndikonte mbi vendet kandidate dhe t’u kërkonte respektimin e standardeve europiane.

“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu