Serbia ka përcjellë me homazhe dhe tone të forta nacionaliste Ratko Mlladiçin, ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ceremonia përkujtimore u zhvillua në Shtëpinë e Ushtrisë në Beograd, ku morën pjesë familjarë, ish-ushtarakë, përfaqësues të Republikës Sërpska dhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç. Jashtë ndërtesës u mblodhën qytetarë, ish-luftëtarë dhe mbështetës të Mlladiçit.

Fjalimet gjatë ceremonisë u përqendruan në lartësimin e figurës së tij, ndërsa nuk u përmendën krimet për të cilat ai u shpall fajtor nga drejtësia ndërkombëtare.

Gjenerali Zhivomir Ninkoviç deklaroi se pa Mlladiçin “nuk do ta kishim as Republikën Sërpska”, ndërsa gjeneral-koloneli Branko Krga tha se ai meriton një vend në historinë serbe përkrah gjeneralëve më të njohur.

Por një prej deklaratave më të forta erdhi nga historiania dhe akademikja ruse Jelena Guskova. Ajo e cilësoi Mlladiçin “udhëheqës të madh” dhe “oficer të ndershëm”, duke deklaruar se biografia e tij do të studiohet në shkolla dhe universitete.

Guskova e lidhi figurën e Mlladiçit edhe me marrëdhëniet ruso-serbe, duke deklaruar se “është e pamundur të mposhten rusët dhe serbët” dhe duke pretenduar se Republika Sërpska ekziston falë ushtrisë së saj dhe Mlladiçit.

Homazhet zhvillohen në një moment tensionesh mes Beogradit dhe Brukselit për mënyrën se si Serbia po e trajton figurën e ish-komandantit. Glorifikimi i Mlladiçit ka shkaktuar reagime të forta europiane dhe debate për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian.

Ratko Mlladiç vdiq më 27 gusht në paraburgimin e Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Trupi i tij u dërgua në Beograd, ndërsa varrimi është parashikuar të zhvillohet të hënën në varrezat e Topçiderit, pranë varrit të vajzës së tij Ana.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu