
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për integrimin gradual të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e akuzuar se po përpiqet t’ia faturojë Europës përgjegjësinë për vonesat e vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha iu referua fjalës së Ramës në Forumin e Cernobbios në Itali, ku kryeministri argumentoi se vendet kandidate duhet të integrohen gradualisht në BE dhe të fitojnë të drejtat e anëtarësimit hap pas hapi.
“Rama: ‘I besoj shumë Europës’, por në fakt i beson shumë Lubisë dhe drogës”, shkruan Berisha, ndërsa pretendon se kryeministri zgjodhi si mesazh të fjalës së tij tezën se “fajin e ka Europa” për mosanëtarësimin e Shqipërisë.
Berisha kundërshtoi edhe deklaratat e Ramës për ndikimin që lufta në Ukrainë dhe Vladimir Putin kanë pasur në politikën europiane të zgjerimit. Sipas tij, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar shumë vite përpara agresionit rus ndaj Ukrainës, duke iu referuar Samitit të Selanikut.
Kreu demokrat përdori tone të ashpra ndaj Ramës, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe për ndërtimin e asaj që Berisha e quan “narkoshtet”. Këto janë akuza politike të kreut të opozitës.
Në përfundim, Berisha e lidhi drejtpërdrejt avancimin e Shqipërisë drejt BE-së me largimin e Ramës nga pushteti.
“Largimi i tij është kushti i të gjitha kushteve për rivendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri dhe avancimin e sigurt”, shkroi Berisha.
Reagimi vjen pasi Rama deklaroi në Itali se Shqipëria nuk ka nevojë të marrë menjëherë të drejtën e vetos për t’u ulur në tryezën europiane dhe kërkoi një model ku vendet kandidate të integrohen gradualisht për çdo kapitull të negociatave që përmbushin.






