
Ukraina ka njoftuar se ka goditur pesë anije që operonin në Detin Azov dhe në ujërat bregdetare të territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, duke i akuzuar ato për transport të paligjshëm të grurit ukrainas, si dhe të ngarkesave ushtarake dhe karburantit.
Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, deklaroi se sulmet u kryen gjatë natës në portet e Mariupolit dhe Berdjanskut, si dhe në zona të tjera nën kontrollin rus. Sipas tij, anijet kishin fikur radarët dhe kishin mbuluar identifikimet e tyre për të fshehur aktivitetin.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit konfirmoi se pesë shtetas të saj humbën jetën gjatë sulmeve ndaj dy prej anijeve, të identifikuara si “Nastra” dhe “Circon”. Autoritetet azere nuk specifikuan se kush i kreu sulmet, por sqaruan se mjetet lundruese nuk ishin në pronësi të Azerbajxhanit.
Zhvillimi vjen vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i propozoi presidentit rus Vladimir Putin zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës, ofertë që u refuzua nga Kremlini.
Ndërkohë, Ukraina ka pranuar se një nga dronët e saj detarë shpërtheu pranë portit rumun të Konstancës në Detin e Zi. Autoritetet rumune konfirmuan se nuk pati të lënduar apo dëme të konsiderueshme nga incidenti.
Në të njëjtën kohë, sulmet ruse në Ukrainë kanë vijuar. Sipas autoriteteve lokale ukrainase, të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 70 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Katër viktima u raportuan pas një sulmi me dron ndaj një fabrike bulmeti pranë Kievit, ndërsa një grua 35-vjeçare humbi jetën në një sulm ndaj një pike karburanti në rajonin e Khersonit.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të intensifikohet, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një armëpushimi mbeten pa rezultat konkret.






