
Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë kombëtare. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, parashikon kuadrin ligjor që do të zbatohet pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë.
Sipas draftit, euro do të bëhet monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, duke zëvendësuar lekun. Banka e Shqipërisë do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin, hedhjen në qarkullim dhe administrimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
Projektligji parashikon gjithashtu që Banka e Shqipërisë të bashkëpunojë me Bankën Qendrore Evropiane për emetimin e monedhave metalike euro, ndërsa Shqipëria do të ketë të drejtën të përcaktojë dizajnin kombëtar të faqes së tyre, sipas procedurave të BE-së.
Autoritetet theksojnë se këto ndryshime nuk nënkuptojnë kalimin e menjëhershëm në euro, por krijojnë bazën ligjore që do të hyjë në fuqi vetëm pasi Shqipëria të anëtarësohet në Eurozonë dhe të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme.






