
Sot, Shqipëria feston me krenari 16-vjetorin e anëtarësimit në NATO, aleancën më të fuqishme dhe të suksesshme të mbrojtjes kolektive. Me këtë rast, Presidenti Bajram Begaj dhe Ministri i MbrojtjesPirro Vengu kanë përcjellë mesazhe përkushtimi dhe krenarie për rolin e Shqipërisë në Aleancë.
Presidenti Begaj theksoi se gjatë këtyre 16 viteve, Shqipëria ka dëshmuar se është një anëtare e denjë e NATO-s, me kontribute dhe pjesëmarrje aktive në misionet dhe operacionet e saj. Ai garantoi se vendi do të vijojë të mbështesë dhe të forcojë Aleancën euro-atlantike, duke kontribuar për një NATO të bashkuar dhe solidare.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kujtoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt NATO-s, të mbushur me sfida dhe arritje të mëdha. Ai theksoi se Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë të japin kontributin e tyre në misione të sigurisë dhe stabilitetit krah aleatëve ndërkombëtarë, duke dëshmuar vendosmërinë e Shqipërisë për mbrojtjen kolektive dhe paqen e qëndrueshme.
Ky përvjetor shënon edhe njëherë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave dhe objektivave të Aleancës, duke e forcuar rolin e saj në sigurinë globale.