Një laborator i madh për kultivimin e kanabisit është zbuluar në fshatin Jabllanicë e Vogël në Pejë, duke ngritur alarmin për aktivitet të organizuar kriminal në zonë.

Sipas autoriteteve, në ambientet e zbuluara janë gjetur sasi të konsiderueshme droge, si dhe pajisje të avancuara që krijonin kushte optimale për kultivimin e bimëve narkotike.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Sahire Gashi, konfirmoi se aksioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga njësitë antidrogë dhe me urdhër të gjykatës kompetente.

Ajo bëri me dije se ekzistojnë dyshime të forta se energjia elektrike për funksionimin e laboratorit është përdorur në mënyrë të paligjshme, ndaj në vendin e ngjarjes është thirrur edhe njësiti i KEDS-it për verifikime të mëtejshme.

Në vendngjarje ka qenë edhe avokatja Zana Krasniqi, e cila deklaroi se i dyshuari është treguar bashkëpunues me autoritetet, por theksoi se në këtë fazë nuk mund të jepen detaje shtesë për hetimin.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu