
Tifozët Kuqezi dhe grupi i njohur “Plisat” nga Prishtina kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për protestën e studentëve shqiptarë që do të mbahet më 18 maj në Shkup, në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës.
Përmes reagimeve në rrjetet sociale, dy grupet kanë bërë thirrje që shqiptarët t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të hënën, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkup.
Në mesazhin e tyre, “Plisat” deklaruan se do të jenë gjithmonë aty kur preken interesat kombëtare, duke theksuar se gjuha shqipe është “e pacenueshme dhe e paprekshme”.
Ata njoftuan se do të jenë në “Shkupin shqiptar”, në mbështetje të studentëve nga Ilirida, duke e cilësuar protestën si një kauzë për dinjitetin, identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve.
Protesta organizohet nga studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e së drejtës për të zhvilluar provimin e Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Tubimi ka marrë mbështetje edhe nga profesorë universitarë, organizata studentore, diaspora shqiptare në SHBA dhe grupe të ndryshme qytetare në rajon.



