
Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës u shoqërua nga një spektakël madhështor muzikor, ku në skenë u ngjitën disa prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës, mes tyre Shakira, Madonna, Justin Bieber dhe grupi korean BTS.
Shfaqja e pjesës së parë zgjati plot 27 minuta e 22 sekonda, duke u bërë më e gjata në historinë e Botërorëve dhe duke sjellë për herë të parë një format të ngjashëm me atë të Super Bowl-it amerikan.
Madonna interpretoi hitin e saj “Music”, duke bërë një hyrje spektakolare nga tunelet e stadiumit, e shoqëruar nga legjendat braziliane Ronaldo dhe Ronaldinho.
Shakira u rikthye në skenë së bashku me artistin nigerian Burna Boy, me të cilin interpretoi hitin “Dai Dai”, ndërsa BTS shënoi rikthimin në një skenë globale pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak të anëtarëve të grupit në Korenë e Jugut.
Justin Bieber performoi me kitarë, ndërsa në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë edhe Nicole Scherzinger, Robbie Williams, Laura Pausini, Post Malone dhe Swae Lee.
Atmosfera u ndez edhe më shumë nga fishekzjarrët dhe efektet vizuale që mbuluan stadiumin “New York New Jersey”, ndërsa në tribuna ishin të pranishëm emra të njohur si Beyoncé dhe Jay-Z, Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet, Jessica Alba, David dhe Victoria Beckham, si edhe aktori Tom Cruise.
Përpara nisjes së finales, Jennifer Hudson interpretoi himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Tom Cruise mbajti një fjalim ku e cilësoi futbollin si “një gjuhë që bashkon njerëzit në mbarë botën”.
Megjithatë, kohëzgjatja e spektaklit shkaktoi edhe polemika, pasi rregullat e Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB) parashikojnë që pushimi mes pjesëve të mos zgjasë më shumë se 15 minuta.
Edhe ish-sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, nuk u kursye në kritikat e tij ndaj shfaqjes. Si komentator i BBC-së, ai u shpreh shkurt: “Më pëlqejnë shumë prej këtyre artistëve, por mendoj se spektakli ishte i dobët.”






