
Një histori që po prek mijëra njerëz në mbarë botën vjen nga Venezuela, ku ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një mace që kishte mbetur e bllokuar nën rrënoja për gati një muaj pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.
Shpëtimi ndodhi ndërsa operacionet për gjetjen e viktimave vazhdojnë ende në zonat më të goditura. Pamjet e publikuara nga mediat italiane tregojnë momentin kur macja, e dobësuar por e gjallë, merret në duart e veterinerëve dhe shpëtimtarëve.
Tërmeti me magnitudë 7.5, i cili goditi Venezuelën më 24 qershor, shkaktoi shembjen e qindra ndërtesave dhe një krizë të rëndë humanitare. Sipas bilancit më të fundit zyrtar, janë konfirmuar 3.685 viktima, mbi 16.700 të plagosur dhe afro 18 mijë persona kanë mbetur pa banesë. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë me pjesëmarrjen e mijëra efektivëve vendas dhe ekipeve ndërkombëtare.
Gjatë javëve të fundit janë regjistruar edhe disa shpëtime të tjera të jashtëzakonshme. Një burrë 43-vjeçar u nxor i gjallë pas tetë ditësh nën rrënoja, ndërsa më herët u shpëtuan edhe dy fëmijë që kishin mbijetuar për gjashtë ditë të bllokuar.
Shpëtimi i maces është cilësuar nga shumë si një rreze shprese në mes të katastrofës, duke treguar se edhe pas javësh kërkimet mund të sjellin histori të jashtëzakonshme mbijetese.






