
Durrës – Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke lënë të plagosur një 35-vjeçar në zonën e Shkafanës, pasditen e së mërkurës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45, ku dyshohet se shtetasi A. D., 35 vjeç, ka qëlluar me pistoletë dhe ka plagosur shtetasin M. J., gjithashtu 35 vjeç. I plagosuri është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Falë veprimeve të shpejta, janë identifikuar autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij, shtetasi R. A., të cilët janë shpallur në kërkim dhe po ndiqen nga shërbimet policore.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. Policia u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë për kapjen e autorëve, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm për çdo informacion të vlefshëm.