
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë është mbajtur mesha e Pashkëve Orthodhokse, liturgjia e Mbrëmësores së Dashurisë, ku morën pjesë dhjetëra besimtarë.
Ceremonia u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan, i cili në mesazhin e tij vuri theksin tek paqja dhe sfidat shpirtërore të kohës moderne.
Besimtarët orthodhoksë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ndërsa në Tiranë atmosfera u shoqërua me lutje dhe reflektim mbi kuptimin e Ngjalljes së Krishtit.
“Paqja e vërtetë nuk është mungesa e problemeve, por prania e Zotit në mes të tyre”, theksoi Kryepiskopi Joan gjatë fjalës së tij.
Ai u ndal edhe te realiteti i sotëm global, duke nënvizuar se bota përballet jo vetëm me luftëra dhe dhunë, por edhe me një krizë të thellë shpirtërore, të shoqëruar me indiferencë dhe largim nga besimi.
Duke iu referuar sakrificës së Krishtit, Kryepiskopi theksoi rëndësinë e faljes dhe dashurisë, duke i cilësuar ato më të forta se urrejtja dhe hakmarrja.
Pas meshës, ai priti besimtarët në një ceremoni tradicionale, ku u shkëmbyen urime për festën e Pashkëve, ndërsa mesazhi kryesor mbeti ai i paqes, shpresës dhe besimit.



