Një nga faqet më të errëta të luftës në Bosnje ishte përdhunimi sistematik i grave dhe vajzave boshnjake myslimane nga pjesëtarë të forcave serbe të Bosnjës.
Dhuna seksuale nuk ishte vetëm një akt brutal ndaj viktimave.

Gratë boshnjake myslimane jo vetëm përdhunoheshin, por shpesh liheshin qëllimisht shtatzëna, mbaheshin të izoluara dhe më pas detyroheshin të lindnin, me synimin që të sillnin në jetë të ashtuquajturit “çetnikë të vegjël”.

Një nga vendet simbol të këtij tmerri ishte Foça.

Mes prillit 1992 dhe shkurtit 1993, gra dhe vajza myslimane u mbajtën në ndërtesa dhe banesa të ndryshme, të shndërruara në vende burgimi dhe abuzimi seksual.

Viktimat rriheshin, torturoheshin dhe përdhunoheshin në mënyrë të përsëritur. Disa prej tyre mbetën shtatzënë. Veçanërisht tronditëse ishte se shumë prej grave njihnin burrat që i dhunonin: njerëz që, përpara luftës, kishin qenë fqinjët e tyre.

Në materialet dhe dëshmitë për atë periudhë përshkruhen edhe skena të tjera të terrorit që shoqëronin spastrimin etnik. Shtëpitë e myslimanëve plaçkiteshin dhe digjeshin, ndërsa në disa raste në banesat e braktisura liheshin kafshë të therura apo pjesë të tyre, si akt poshtërimi dhe frikësimi ndaj banorëve që detyroheshin të largoheshin.

Në këtë histori përmendet edhe Ratko Mladić, komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës. Atij i atribuohet një deklaratë e vitit 1996, kur, i pyetur për përdhunimet, pretendohet se u përgjigj me përçmim: “Ne serbët jemi tepër të rafinuar për të bërë gjëra të tilla.”

Krimet seksuale të luftës në Bosnje janë dokumentuar gjerësisht, ndërsa vlerësime të ndryshme flasin për 20 mijë deri në 50 mijë gra të dhunuara gjatë konfliktit.

Foça u kthye më pas në një nga çështjet historike të drejtësisë ndërkombëtare. Gjykimet për krimet e kryera atje ndihmuan që përdhunimi dhe skllavëria seksuale të trajtoheshin si krime kundër njerëzimit.
Ratko Mladić u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu