
Pushimet në bregdetin e Vlorës u kthyen në një përvojë të hidhur për një grup turistësh izraelitë, të cilët përfunduan në spital pasi shfaqën simptoma të rënda shëndetësore gjatë qëndrimit në një hotel të qytetit.
Një prej tyre, Rahel, ka rrëfyer për mediat izraelite se gjithçka nisi kur vajza e saj e vogël u ankua se nuk mund të lëvizte këmbët. Brenda pak minutash, sipas saj, të gjithë anëtarët e familjes nisën të ndienin dobësi, dridhje, dhimbje në trup, të vjella dhe mjegullim të vetëdijes, deri në pikën që nuk mund të qëndronin më në këmbë.
“Nuk mund të ecnim më. Djali na gjeti të shtrirë në dysheme, ndërsa jashtë hotelit kishte ambulanca dhe turistë të tjerë në të njëjtën gjendje”, rrëfen ajo.
Turistja pretendon se ndihma e parë e dhënë në hotel nuk ishte e mjaftueshme dhe se transportimi në spital u vonua. Ajo thotë gjithashtu se, pasi u stabilizuan, mësuan nga turistë të tjerë se shkaku i mundshëm mund të ishte një rrjedhje nga sistemi i ajrit të kondicionuar, megjithëse kjo mbetet vetëm një dyshim.
Nga ana tjetër, hoteli ka hedhur poshtë këto pretendime. Në reagimin e tij, sqaron se vetëm pesë dhoma raportuan shqetësime shëndetësore, ndërsa stafi reagoi menjëherë duke njoftuar urgjencën dhe duke shoqëruar turistët në spital.
Sipas hotelit, pas incidentit u kryen kontrolle të plota në sistemin e kondicionimit, në kushtet e sigurisë ushqimore dhe në të gjitha pajisjet teknike, pa u konstatuar asnjë defekt apo parregullsi. Menaxhmenti shton se autoritetet kanë hetuar edhe faktorë të tjerë të mundshëm jashtë hotelit dhe deri më tani nuk ka prova që lidhin incidentin me sistemin e ajrit të kondicionuar.
Ndërkohë, turistët izraelitë kanë paraqitur kallëzim ndaj mënyrës së menaxhimit të situatës dhe kanë kërkuar hetim të plotë. Edhe autoritetet shqiptare konfirmojnë se shkaku i incidentit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet vijojnë.






