
Shqipëria po përballet me një verë të përgjakshme në rrugë. Nga 1 qershori deri më 25 korrik janë regjistruar 240 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 28 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, vetëm gjatë muajit korrik janë shënuar 11 viktima. Mes ngjarjeve më të rënda është aksidenti pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë pasi një kamion-betonpompë përplasi një automjet dhe ra nga mbikalimi në autostradë.
Bilanci tragjik përfshin edhe aksidente të tjera fatale në Cërrik, Elbasan, Zvërnec dhe në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbën jetën drejtues mjetesh dhe pasagjerë.
Statistikat tregojnë se shpejtësia e lartë vijon të jetë shkaku kryesor i aksidenteve. Vetëm gjatë një nate, kamerat inteligjente të Policisë Rrugore konstatuan 206 drejtues mjetesh që lëviznin me shpejtësi deri në 212 kilometra në orë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, në pesë muajt e parë të vitit janë regjistruar 547 aksidente rrugore, 18 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Autoritetet e lidhin rritjen e aksidenteve me shtimin e qarkullimit gjatë sezonit turistik dhe rritjen e numrit të automjeteve në vend, i cili ka kaluar për herë të parë shifrën e një milion mjeteve të regjistruara.
Ndërkohë, në fillim të muajit gusht pritet të hyjnë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të ashpra për shkelësit, përfshirë heqjen e përhershme të patentës për drejtuesit që kapen të dehur në timon për herë të dytë.






