Seanca plenare e Kuvendit u mbyll mes tensioneve, bojkotit të opozitës dhe protestës jashtë godinës. Pas disa ndërprerjeve dhe pushimeve të shkurtra, mazhoranca miratoi e vetme të gjitha pikat e rendit të ditës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike refuzuan të marrin pjesë në votim.

Gjatë procesit të votimit, deputetët demokratë qëndruan në foltore duke kundërshtuar zhvillimin e seancës me thirrje si “Hajdut”, “Rama në burg” dhe “Dorëheqje”, ndërsa më pas u larguan nga salla.

Mes akteve të miratuara ishte edhe projektligji i ri për Policinë e Shtetit, i cili kaloi me 83 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim. Sipas ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, ndryshimet synojnë një organizim më funksional të Policisë, forcimin e sistemit të karrierës mbi bazën e meritës, shmangien e vakancave në drejtim dhe modernizimin e administrimit të burimeve njerëzore.

Jashtë Kuvendit, protesta vijoi edhe pas përfundimit të seancës. Në momentin kur deputetët po largoheshin, një grup protestuesish goditi me vezë automjetet e tyre pranë zonës së qendrës tregtare Toptani. Policia ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi disa persona.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit njoftoi se seanca e radhës plenare do të zhvillohet më 30 korrik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu