Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve të shpërndara në rrjetet sociale se Banjat Termale të Bënjës janë betonizuar dhe tharë, duke i cilësuar ato si manipulime dhe dezinformim.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama ka publikuar pamje aktuale nga zona e Bënjës, duke mohuar kategorikisht lajmet që kanë qarkulluar gjatë orëve të fundit.

“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër ‘raketë’ digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës”, shkruan kryeministri.

Sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtën mënyrë veprimi që, sipas Ramës, është përdorur edhe në raste të tjera për të nxitur reagime masive në rrjetet sociale.

“Kjo është bërë nga të njëjtat duar që i dhanë algoritmit ‘dopingun’ për flamingot”, shprehet ai, duke iu referuar debatit të fundit për projektin turistik në Zvërnec.

Rama thekson se në Bënjë nuk ka as betonizim dhe as ndërhyrje që cenojnë burimet termale apo peizazhin natyror. Sipas tij, në zonë po zbatohet vetëm një projekt publik rigjenerimi dhe zhvillimi urban, me synim përmirësimin e infrastrukturës për banorët dhe turistët.

“Bënja nuk ka nevojë për alarm të rremë, por për zhvillim dhe mirëmenaxhim”, thekson kryeministri.

Reagimi i Ramës vjen pasi në rrjetet sociale u publikuan postime që pretendonin se ndërhyrjet në zonë kishin dëmtuar Banjat Termale të Bënjës, një nga destinacionet më të njohura turistike dhe natyrore në jug të Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu