
Kompania ajrore italiane Ita Airways ka njoftuar se do të lejojë kafshët shtëpiake deri në 30 kilogramë të udhëtojnë në kabinë në fluturimet e brendshme në Itali, përmes shërbimit të ri “Large Pet Friendly”.
Vendimi vjen pas ndryshimeve të fundit rregullatore të miratuara nga ENAC (Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali), si dhe pas një fluturimi demonstrues të realizuar në shtator, ku dy qen të mëdhenj udhëtuan nga Milano Linate drejt Romës Fiumicino pa transportues, direkt në kabinë.
Sipas njoftimit zyrtar, kompania ka punuar për të garantuar standardet operative dhe të sigurisë, në mënyrë që pasagjerët të mund të udhëtojnë bashkë me kafshët e tyre, pa pasur nevojë për ndarje në bagazhin e avionit.
“Është një vendim që lind nga dëgjimi i kërkesave të pasagjerëve dhe nga vetëdija se kafshët janë pjesë e familjes. Duam që çdo udhëtim të nisë dhe të përfundojë së bashku, pa ndarje”, deklaroi CEO dhe Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Joerg Eberhart.
Shërbimi pritet të vihet në shitje gjatë sezonit veror IATA, duke u mundësuar udhëtarëve të planifikojnë që në pranverë/verë fluturimet së bashku me miqtë e tyre katërputroshë.
Me këtë hap, Ita Airways synon ta bëjë përvojën e fluturimit më gjithëpërfshirëse, duke respektuar njëkohësisht standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë.






