
Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka ndezur debate të forta në rrjet pas deklaratave të saj mbi marrëdhënien me qentë, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht pas lindjes së fëmijëve. Një episod kafshimi ndaj djalit të saj ka qenë pika e kthesës që e ka shtyrë aktoren të marrë vendimin për t’ia lënë qenin prindërve të saj.
Gjatë një takimi me publikun në New York, më 7 janar, pas shfaqjes së filmit të saj të ri Die My Love, Lawrence, 35 vjeçe, tregoi se materniteti i ka ndryshuar plotësisht perceptimin për kafshët shtëpiake.
“Është sikur tani nuk i njoh më qentë. I shoh vetëm si një kërcënim”, u shpreh ajo nga skena, duke kujtuar incidentin: “Njëri prej tyre kafshoi djalin tim dhe kjo më shkaktoi një reagim ekstrem”.
Deklaratat e saj, të shoqëruara me një gjuhë provokuese dhe të ashpër, u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta dhe të ndara mes fansave.
Pas incidentit, aktorja vendosi të largojë qenin e saj, Chihuahua-n Princess Pippi Longstocking, të cilën e kishte adoptuar në vitin 2017. Lawrence theksoi se nuk bëhej fjalë për braktisje:
“Ajo është gjallë dhe jeton me prindërit e mi. Nuk i pëlqente New York-u. Pas lindjes së fëmijës, qentë më dukeshin shumë të frikshëm”.
Jennifer Lawrence është nënë e dy fëmijëve me bashkëshortin e saj Cooke Maroney: Cy, i lindur në vitin 2022, dhe një fëmijë i dytë i lindur në vitin 2025.
Reagimet e publikut kanë qenë të polarizuara. Disa e kanë kritikuar ashpër aktoren për vendimin dhe fjalorin e përdorur, ndërsa të tjerë e kanë mbrojtur, duke theksuar se siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut.
Aktualisht, Lawrence jeton me një mace të quajtur Fred, për të cilën ka folur me humor dhe simpati, duke shtuar se “macet janë shumë të keqkuptuara, por pikërisht kjo i bën interesante”.






