
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas monologut të së dielës të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po shmang llogaridhënien për projektin në Zvërnec dhe po sulmon qytetarët që protestojnë.
Në një videomesazh publik, Berisha tha se Rama nuk dha asnjë sqarim për shqetësimet që lidhen me investimin, por zgjodhi të kërcënojë dhe përçmojë protestuesit.
“Edi Rama përdori monologun e radhës për të sulmuar, kërcënuar dhe përçmuar dhjetëra mijëra qytetarë që prej një jave protestojnë kundër tij”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut të PD, protestat kanë në themel mungesën e transparencës së qeverisë për projektin në Zvërnec. Ai kërkoi sqarime për pronësinë, ndikimin në mjedis dhe detyrimet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Berisha akuzoi Ramën se ka firmosur lejen e zhvillimit në një kohë kur, sipas tij, ekzistojnë konflikte gjyqësore për pronën.
“Nuk tha një fjalë të vetme se pse firmosi lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, në prani të konflikteve gjyqësore midis palëve për pronën”, deklaroi ai.
Kreu demokrat kundërshtoi edhe deklaratën e Ramës se ende nuk ka një projekt konkret, duke thënë se nuk mund të miratohet leje zhvillimi pa një projekt apo të paktën një projekt-ide.
Ai akuzoi kryeministrin se po përdor narrativën e “luftës hibride” dhe “armiqve të jashtëm” për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet reale që ngre protesta.
“Monologu i të dielës ishte mashtrimi i radhës, i karakterizuar nga cinizëm i pashembullt dhe arrogancë ndaj qytetarëve dhe të rinjve në protestë”, tha Berisha.
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar prej ditësh në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, ndërsa qeveria këmbëngul se zhvillimi i zonës do të bëhet me transparencë dhe në përputhje me standardet.






