
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Librazhd me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ku theksoi edhe njëherë rëndësinë e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama kanë një kontratë të qartë me 856.177 shqiptarët që i besuan me votë më 11 maj 2025, duke nënvizuar se ky angazhim do të përmbushet deri në realizimin e objektivave të vendosura.
“Dua ta them shumë qartë që kontrata e Partisë Socialiste, kontrata e Edi Ramës, është me 856.177 shqiptarë. Dhe kontrata nuk ndërpritet; kontrata do të shkojë deri në fund, kur ta shohim Shqipërinë tonë anëtare të Bashkimit Evropian brenda këtij mandati të Partisë Socialiste”, u shpreh Balla.
Balla thekson se mbështetja e marrë në zgjedhjet e fundit përbën një përgjegjësi të madhe për vijimin e reformave dhe avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e cilësuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektivin më të rëndësishëm të mandatit aktual.
Aktiviteti në Librazhd u zhvillua në kuadër të festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, ku morën pjesë drejtues, anëtarë dhe mbështetës të forcës politike.






