
Komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, ka hedhur poshtë idenë e një anëtarësimi të lehtësuar për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një deklaratë të bërë gjatë një interviste në Atlantic Council, ajo theksoi qartë se nuk mbështet propozimin e Aleksandar Vučić dhe Edi Rama për një integrim të pjesshëm në strukturat europiane, si zona Schengen apo tregu i përbashkët, pa përmbushur kushtet e plota të anëtarësimit.
“Roli im është t’i ndihmoj këto vende të bëhen anëtare të plota të BE-së”, u shpreh Kos, duke përjashtuar çdo mundësi për një “rrugë të shkurtër” drejt integrimit.
Megjithatë, ajo nënvizoi se Shqipëria ka bërë progres dhe mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, ose edhe më herët, nëse vijon me ritmin e reformave.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kyç për procesin e zgjerimit, duke riafirmuar se standardet dhe kriteret mbeten të panegociueshme për çdo vend aspirant.






