Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë potencialin të financojë deri në 1 miliard euro projekte dhe investime, duke u fokusuar tek sektorët që kanë vështirësi në sigurimin e fondeve nga tregu financiar. Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas Malajt, institucioni i ri financiar po ndërtohet me një kapital prej rreth 100 milionë eurosh dhe do të shërbejë si një mekanizëm mbështetës për sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Ministri theksoi se banka do të financojë sektorët e nënfinancuar, ndërmarrjet që nuk kanë akses të mjaftueshëm në financim, si dhe projekte me rëndësi strategjike për qeverinë shqiptare.

Ndër fushat prioritare që do të përfitojnë nga financimet janë bujqësia, agropërpunimi, projektet infrastrukturore strategjike, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, banesat sociale, inovacioni, digjitalizimi, si dhe projektet që lidhen me energjinë dhe efiçencën energjetike.

Malaj u shpreh se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë një vlerë e shtuar për tregun financiar shqiptar, duke plotësuar boshllëqet ekzistuese në financim dhe duke mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu