
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se nga 1 korriku do të nisë zbatimi i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një instrument i ri mbështetës për bizneset shqiptare.
Sipas Ibrahimajt, programi parashikon një fond prej 250 milionë eurosh, me synimin për të rritur aksesin në financim dhe për të forcuar sipërmarrjen në vend.
Ministrja bëri të ditur se skema do të mbështetet edhe nga një garanci sovrane prej 30 milionë eurosh, e cila do të ulë riskun e kreditimit dhe do të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme nga 2 deri në 3 për qind.
Programi synon të ndihmojë veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke u krijuar mundësi për të financuar aktivitetin e tyre me kushte më lehtësuese.
Përveç garancisë sovrane, qeveria do të vërë në dispozicion edhe një fond grantesh për bizneset, me qëllim mbështetjen e hartimit të projekteve që do të aplikojnë për financim.
Ibrahimaj theksoi se iniciativa synon jo vetëm të rrisë financimin për bizneset, por edhe të nxisë produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik në vend.
Ibrahimaj: Vilat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë do të menaxhohen me partneritet shtet-privat
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se vilat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë do të menaxhohen përmes një bashkëpunimi mes shtetit dhe sektorit privat.
Sipas saj, përmes projektit “Hospitality Albania”, që menaxhohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve, synohet që asetet shtetërore të shfrytëzohen me efikasitet dhe me qëllim gjenerimin e të ardhurave.
Ibrahimaj sqaroi se pronat shtetërore nuk do t’i transferohen privatit, por do të mbeten në pronësi të shtetit, ndërsa bashkëpunimi do të kufizohet vetëm në aspektin e menaxhimit.
Ministrja komentoi edhe debatin për Bordin e Transparencës, duke theksuar se mekanizmi ka shërbyer për mbrojtjen e interesit publik në periudha krizash, veçanërisht gjatë rritjes së çmimeve të energjisë në vitin 2022.
Sipas saj, formula e përdorur nga Bordi synon të garantojë një fitim minimal për kompanitë, duke shmangur njëkohësisht rëndimin e qytetarëve nga rritja e çmimeve të karburanteve.



