
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të enjte se mund të udhëtojë sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një “rikthim”.
Në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, Berisha u shpreh se nuk ka qenë kurrë “non grata” në SHBA, por ka pasur vetëm një ndalim hyrjeje.
“Çdo shqiptari unë i thashë në Parlamentin e Shqipërisë: u ktheva”, deklaroi Berisha.
I pyetur nga gazetarët se me kë kishte komunikuar, kreu i PD-së tha se ka pasur komunikim zyrtar, por refuzoi të japë më shumë detaje.
“Përderisa jam këtu, unë kam pasur komunikim zyrtar. E gjitha çfarë mund t’u them: unë u ktheva”, tha ai.
Berisha këmbënguli se termi “non grata” është përdorur nga kundërshtarët e tij politikë dhe jo nga autoritetet amerikane.
“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Ka pasur një sanksion, vizën”, deklaroi ai.
I pyetur nëse ndryshimi i statusit vlen edhe për anëtarët e familjes së tij, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke përsëritur disa herë të njëjtin mesazh.
“Sot unë them u ktheva. U ktheva!”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.
Deklarata vjen pasi prej ditësh në kampin opozitar është diskutuar mundësia e heqjes së masës së ndalimit të hyrjes në SHBA ndaj Berishës, ndërsa deri tani nuk ka pasur një njoftim publik nga autoritetet amerikane për këtë çështje.






