Socialistët mbledhin sot Kongresin Zgjedhor, në fokus të të cilit, do të jenë jo vetëm punët e partisë, por edhe sfidat për të çuar përpara qeverisjen pas 11 vitesh në pushtet.

Forumi më i lartë drejtues i PS-së nis në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, dhe do të jetë i ndarë në tre sesione. Në pjesën e parë, atë të Mirëqeverisjes, ministra të kabinetit “Rama 3” do të parqesin arritjet e deritanishme.

yacht hotel sarande

Në pjesën e dytë, atë për Antikorrupsionin, pritet të flasin ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni dhe Fatmir Xhafaj, të cilit Edi Rama i ka besuar kryesimin e Komisionit Antikorrupsion.

Pjesa e tretë do të fokusohet tek punët e brendshme të partisë. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, ministrja për Parlamentin Spiropali dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi do të përqëndrohen tek nisma “Deputeti që duam”, rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.

Fjalimi kryesor, sikurse është traditë, do t’i përkasë pikërisht numrit një të socialistëve, Edi Ramës, i cili në mëngjes publikoi dhe një foto të dekorit të Kongresit ku dhe do të mbahen fjalimet.

Kryesocialisti do të prezantojë edhe platformën për përzgjedhjen e deputetëve, që do të jenë ekipi garues për mandatin 4-t qeverisës, që e paralajmëroi gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS.

Ndërkohë me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor çdo parti do të ketë dy lista kandidatësh, një të mbyllur dhe një të hapur. Lista e mbyllur përmban emra që bëhen automatikisht deputetë, ndërsa e hapura ka garë brenda partisë. Në zgjedhjet parlamentare të 2021, kryeministri Rama la jashtë vijës së kuqe Fatmir Xhafajn, Mimi Kodhelin dhe Pandeli Majkon. Vetëm Xhafaj e theu herësin, 2 të tjerët hynë në Parlament pasi dorëzuan mandatin Najada Çomo dhe Alqi Bllako.

Mbetet për tu parë nëse kryeministri do të thotë emrin e pasueses së Lindita Nikollës e cila dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit në seancën e fundit të sesionit parlamentar të këtij viti (26 korrik), për shkaqe të cilat i deklaroi ‘shëndetësore“

Pas fjalimeve do të nisë votimi për anëtarët e rinj të Asamblesë e cila si cështje primare do të ketë zgjedhjen e sekretaritit të ri të PS-së i shkarkuar nga Rama prej korrikut 2023.

Delegatët e Partisë Socialiste do të votojnë për 156 anëtarë të Asamblesë, nga 350 që ka ky forum, ku një pjesë zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal.

Kryeministri Rama pak ditë më parë kërkoi që asnjë drejtor në institucione të ndryshme në nivel vendor e qendror të mos përfshihet në listat për Asamblenë e re Kombëtare./Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu