Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbrojti luftën e Izraelit në Gazë dhe dënoi protestuesit amerikanë, në një fjalim me gjuhë të ashpër të mërkurën para Kongresit amerikan. Fjalimi u bojkotua nga shumë ligjvënës të lartë demokratë dhe u shoqërua me protesta para Kapitolit ku morën pjesë mijëra vetë që dënonin luftën në Gaza dhe krizën humanitare që ajo ka shkaktuar.
Zoti Netanjahu u zotua se Izraeli do ta vazhdojë luftën deri në “fitoren totale”. Ai gjithashtu kërkoi mbështetje më të fortë nga Shtetet e Bashkuara për luftën e vendit të tij kundër Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura të mbështetura nga Irani, si edhe dënoi ashpër kundërshtimet e shumta në Shtetet e Bashkuara ndaj luftës.
“Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku. Kur qëndrojmë së bashku, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin.” tha zoti Netanjahu.
Fjalimi i tij mori shpejt ngjyrime të zymta ndërsa mbronte vendin e tij, por gjithashtu kritikoi ashpër ata që protestonin kundër luftës, duke iu referuar demonstruesve para Kapitolit ndërsa ai fliste si “idiotë të dobishëm” që u shërbejnë kundërshtarëve të Izraelit.
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje të shumta në Kongres, por edhe me heshtje nga demokratë me peshë që nuk u ngritën në këmbë të brohorisnin në mbështetje të tij.
Ish-pengje të liruara dhe familje të pengjeve ishin të pranishëm në sallë. Ligjvënësit e të dyja partive u ngritën vazhdimisht për ta duartrokitur udhëheqësin izraelit, ndërsa disa protestues që u ngritën duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e të gjithë pengjeve, u nxorrën jashtë.
Rashida Tlaib, një ligjvënëse demokrate nga Miçigani e cila ka familjarp në Bregun Perëndimor, me lot në sy mbante një shenjë ku shkruhej “kriminel lufte”. Zonja Tlaib u censurua vitin e kaluar për kritikat e saj të ashpra ndaj Izraelit.
Ndërsa janë shtuar kritikat ndaj tij në Izrael, Kryeministri Netanjahu synon ta paraqesë veten si burrë shteti i respektuar nga aleati më i rëndësishëm i Izraelit.
Ky objektiv është ndërlikuar nga pikëpamjet gjithnjë e më të kundërta të amerikanëve për Izraelin dhe luftën, e cila është kthyer si një çështje kyçe në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Vizita e zotit Netanjahu vjen mes presionit në vendin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, si dhe pasigurive politike në Shtetet e Bashkuara, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Zoti Netanyahu u prit ngrohtësisht nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe ligjvënës të tjerë republikanë, të cilët e kishin ftuar atë të fliste në Kongres.
“Sot dhe çdo ditë, Amerika duhet të qëndrojë krah për krah me Izraelin”, tha zoti Johnson pak para se zoti Netanjahu të mbante fjalimin.
Me fjalimin e së mërkurës, zoti Netanyahu bëhet udhëheqësi i parë i huaj që ka folur katër herë në një seancë të përbashkët të Kongresit, duke lënë pas Uinston Çërçillin.
Më shumë se 50 demokratë bojkotuan fjalimin e zotit Netanjahu. Mungesa më e dukshme ishte ajo e Nënpresidentes Kamala Harris, e cila shërben si presidente e Senatit. Ajo tha se një udhëtim fushate i planifikuar më parë ia bëri të pamundur të merrte pjesë.
Zoti Johnson e kritikoi mungesën e saj si “të pafalshme”.
Në seancë nuk ishte i pranishëm as senatori republikan J.D. Vance, kandidati republikan për nënpresident.
Zoti Netanjahu pritet të takohet me Presidentin Joe Biden dhe zonjën Harris të enjten, dhe me kandidatin demokrat Trump në Mar-a-Lago të premten.
Lufta filloi me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në fillim të tetorit që shkaktoi vdekjen e 1200 vetëve. Izraeli u përgjigj me një fushatë sulmesh tokësore dhe ajrore që kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 39,000 personave, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Shumë nga protestuesit dënojnë vrasjen e civilëve në Gazë. Të tjerë thonë se zoti Netanjahu ka qenë i paaftë të lirojë pengjet izraelitë dhe amerikanë që mbahen nga Hamasi.
Shumë demokratë që mbështesin Izraelin, por kanë qenë kritikë ndaj zotit Netanjahu, e shohin fjalimin si një përpjekje republikane për ta paraqitur veten si partia më besnike ndaj Izraelit.
Shumë demokratë morën pjesë në fjalim pavarësisht kritikave të tyre ndaj zotit Netanyahu, përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael në një fjalim në mars./VOA